Egnatia për momentin u ka dhënë disa ditë pushim lojtarëve të saj, për të nisur më pas grumbullimin për përgatitjet në kuadër të ndeshjeve që do të kenë në kupat e Europës.
Mund të thuhet pa frikë se rrogozhinasit i pret një verë e nxehtë këtë sezon, si përsa u përket pritshmërive në Europë, ku synojnë grupet e Konferencë Ligë, por edhe në lidhje me merkaton që presin të bëjnë përgjatë këtyre muajve. Pothuajse Kastriot Selmani është një lojtar i tyre, meqenëse pak ditë më parë e konfirmoi për “Panorama Sport” edhe vetë presidenti Agim Demrozi. Gjithsesi, ai nuk do të jetë i vetmi, por thjesht i pari.
AFRIMET E JANARIT – Nëse rrogozhinasit janë në këto pozita aktualisht ku kanë dominuar në futbollin shqiptar, e gjitha ka ardhur si shkak i merkatos së bërë. Edhe këtë vit kështu ndodhi, sidomos me afrimet e bëra në janar, aty ku kanë qëlluar shpesh në shenjë. Për t’u ndalur më konkretisht, kampionët afruan pesë lojtarë në merkaton e dimrit dhe të gjithë u bënë protagonistë në mënyrën e tyre.
I pari ishte portieri Mario Dajsinani. 26-vjeçari zuri menjëherë vendin e formacionit dhe u adaptua shpejt me pjesën tjetër të ekipit, duke i dhënë një siguri në katërkëndësh. Edhe këtë sezon porta do të jetë në duart e tij.
Në janar pati edhe një rikthim të rëndësishëm, siç ishte ai i Fernando Medeiros. 29-vjeçari zuri menjëherë vendin e titullarit dhe arriti madje të shënojë edhe dy gola. Në të njëjtën kohë u kthye në fantazistin e skuadrës, diçka që i mungonte ekipit të Edlir Tetovës përgjatë dy fazave të para të kampionatit.
I treti në këtë listë afrimesh është Eljon Sota, i cili u rikthye në futbollin shqiptar pas një aventure jashtë vendit. Kësaj here me synimin që të shpallej kampion me Egnatian dhe ia arriti. U aktivizua në 11 ndeshje dhe shënoi dy gola, në një kohë që vuajti jo pak edhe për të kapur formën.
Afrimet e janarit vijuan me sulmuesin Saliou Guindo, i cili vinte me petkun e një lojtari që e njihte kampionatin shqiptar dhe madje kishte fituar “Këpucën e Artë”. Nuk arriti dot formën e tij maksimale, edhe pse luajti në 15 ndeshje, duke shënuar një gol. Një sulmues që gjithsesi, në Rrogozhinë presin që të rikthehet ai që ishte para se të largohej nga futbolli shqiptar.
I fundit nga afrimet ishte Leo Melo. I ardhur nga radhët e Elbasanit për t’u përdorur si alternativë, duket se e bëri mirë punën e tij me 17 paraqitje dhe dy gola.