Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:15, në Spitalin Rajonal të Mitrovicës së Veriut, ku një pacient ka humbur jetën në rrethana ende të paqarta.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se viktima është hedhur nga kati i tretë i ndërtesës së spitalit. Lajmi është konfirmuar nga zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili bëri të ditur se rasti po trajtohet si vdekje e dyshimtë.

“Dyshohet se pacienti është hedhur nga kati i tretë i spitalit. Hetimet janë në vazhdim,” deklaroi Elshani për mediat.

Mjekët konstatuan vdekjen në vendngjarje, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Autoritetet po punojnë për të zbardhur tërësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.