Dy persona të dyshuar për nxitje të përçarjes dhe për shpërndarje të ideologjisë për organizata terroriste përmes rrjeteve sociale, janë arrestuar të enjten në Kosovë.

Sipas Policisë së Kosovës, në orët e hershme të 22 majit është realizuar “një operacion i suksesshëm policor”, pas hetimeve nga Drejtoria Kundër Terrorizmit e Policisë, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Operacioni policor ka përfshirë dy raste të ndara, ku janë kryer tri kontrolle në vendbanime në Fushë Kosovë dhe në Malishevë, dhe ku janë arrestuar të dyshuarit, ka njoftuar Policia.

Identiteti i të dyshuarve nuk është bërë i ditur.

Detaje të mëtejshme po ashtu nuk janë dhënë, teksa Policia ka thënë se “të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”./ REL