Deklaratat e Donald Trump dje se ai “nuk po kërkon një marrëveshje” me Brukselin, të shoqëruara me kërcënimin për vendosjen e tarifave prej 50% për të gjitha produktet evropiane të importuara në Shtetet e Bashkuara, shkaktuan reagime.
Retorika e ashpër e presidentit amerikan, i cili përsëri e akuzoi BE-në se është “krijuar për të dëmtuar SHBA-në”, ka shkaktuar trazira në tregje dhe reagime politike, me shumë zyrtarë evropianë që paralajmërojnë se një luftë tregtare do të dëmtonte të dyja palët.
Kujtohet se Trump deklaroi dje se “nuk po kërkon një marrëveshje (tregtare)” me Bashkimin Evropian, të cilin po kërcënon se do ta godasë me 50% tarifa doganore nga 1 qershori.
“Ne përcaktuam kushtet e marrëveshjes. “Është 50%” tarifa doganore, përsëriti presidenti amerikan nga Zyra Ovale, disa orë pas njoftimit të tij për këtë taksë të rëndë mbi produktet evropiane të importuara në SHBA, në një mesazh në platformën e tij Truth Social.
Trump përsëriti akuzat e tij kundër Bashkimit Evropian , sipas të cilave BE-ja u “krijua për të dëmtuar Shtetet e Bashkuara”.
“Është koha ta luajmë këtë lojë ashtu siç di unë “, shtoi miliarderi republikan, politika proteksioniste e të cilit deri më tani ka konsistuar në kërcënime të forta, të ndjekura pjesërisht nga kthesa 180 gradë, gjithashtu të forta.
Trump e ka sulmuar shpesh Evropën që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë, duke e quajtur atë “më të keqe se Kina” në marrëdhëniet tregtare. SHBA-të vlerësojnë deficitin e tyre me BE-në në mallra në 235 miliardë dollarë në vitin 2024, por Komisioni Evropian vëren se suficiti i SHBA-së në shërbime e ul deficitin tregtar në 50 miliardë euro (rreth 57 miliardë dollarë).