Zgjedhjet e 11 Majit përveç “luftës” me kundërshtarin, nxitën dhe “pakënaqësi” e vetë brenda “familjes politike”. Kanë qenë demokratët ata të cilët kanë kërkuar rinumërim të votave preferenciale, pas konstatimeve për tjetërsim të tyre.

Mirëpo Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve rrëzoi këtë kërkesë të tyre me argumentin se nuk legjitimohen si palë ankuese për rinumërimin e votave të tyre në listë të hapur, pasi kërkesën për diçka të tillë mund ta bëjë vetëm subjekti politik.

Ndërkohë që së fundmi është bërë publik edhe mesazhi që kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ka dërguar të vetëve në grupin e tyre në “WhatsApp”. Ai u bën me dije se për efekt ligjor partia do të mbështesë çdo kërkesë të tyre në KQZ.

“Të nderuar drejtues politikë të qarqeve dhe kryetarë të degëve të PDSH Çdo kandidat/e për deputet të koalicionit PD-ASHM, që për efekte ligjore i nevojitet mbështetja e partisë për çdo kërkesë që paraqet, kamera, verifikime, rinumërime, etj, do të mbështetet pa asnjë hezitim nga partia!

Ju rikujtoj se transparenca e plotë është standard i PD-së dhe koalicionit tonë! Përshëndetje, Sali Berisha”, shkruhet në mesazhin që kryedemokrati u ka dërguar “të vetëve”.