Rusia kreu një sulm me dron në qytetin ukrainas të Prilukit gjatë natës, sulm i cili presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky tha se shkaktoi një tragjedi familjare, duke i marrë jetën të gjithë familjes së shefit të zjarrfikësve lokalë.
Zelensky njoftoi se midis pesë të vdekurve ishin gruaja, vajza dhe nipi 1-vjeçar i zjarrfikësit, i cili ishte i përfshirë në operacionin për të gjetur viktimat midis rrënojave nga sulmi rus.
Sipas presidentit ukrainas, ky fëmijë është i 632-ti që ka humbur jetën që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
“Rusia po përpiqet vazhdimisht të fitojë kohë për të vazhduar vrasjet. Kur nuk ndjen dënim dhe presion të mjaftueshëm nga bota, ajo vret përsëri”, shkroi zoti Zelensky në një postim në X, sipas të cilit gjatë natës, Ukraina u sulmua nga 103 dronë dhe një raketë balistike, duke synuar rajonet e Donetskut, Kharkivit, Odesës, Sumit, Çernihivit, Dnipros dhe Khersonit.
“Kjo është një arsye tjetër për të vendosur sanksione maksimale dhe për të ushtruar presion të përbashkët. Ne presim veprime nga Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe të gjithë ata që mund të ndihmojnë vërtet në ndryshimin e këtyre kushteve të tmerrshme. Forca ka rëndësi dhe lufta mund të përfundojë vetëm me forcë. Moska duhet të pësojë presion me të gjitha mjetet e disponueshme dhe gradualisht të privohet nga aftësia e saj për të vazhduar këtë taktikë agresive”, përfundoi presidenti ukrainas në postimin e tij.