Televizioni “Ora News” ka publikuar faktin se në vendin tonë është futur pluhur frutash me origjinë nga Turqia, brenda të cilit ndodhet pigmenti i rrezikshëm për shëndetin e njeriut, (e kuqe reaktive 141).
Kjo është foto e produktit i cili është lëndë e parë për prodhime të ndryshme në pastiçeri si torta “cup-cake”, “muffin” etj.
Pigment i paautorizuar i konstatuar te ky produkt (e kuqe reaktive 141) është një bojë sintetike që përdoret kryesisht për ngjyrosjen e tekstileve, veçanërisht pambukut dhe fibrave natyrale.
Ky pigment është rreptësisht i ndaluar të përdoret në ushqime dhe produkte kozmetike.
Pas kërkesës për informacion drejtuar AKU-t, ky institucion na bën me dije se sasia totale e këtij produkti të importuar në Shqipëri është 1200 kg.
Inspektorët e AKU kanë arritur të bllokojnë 365 kg, ndërsa 835 kg e produktit që përbën risk me ndikim serioz në shëndetin e njeriut rezulton të jetë shitur dhe konsumuar.
Sipas burimeve zyrtare, subjekti që ka importuar produktin është BBI Group (Best Brands Internationally).
Alarmin për pigmentin e paautorizuar (e kuqe reaktive 141) e ka lëshuar shteti Grek pas analizave të kryera në produktin “RED FOREST FRUIT CAKE”.
Në Bashkimin Evropian, ky pigment është i ndaluar për tu përdorur në ushqim, kozmetike dhe lodra për fëmijë.
Sipas eksperteve të fushës (e kuqe reaktive 141) ka potencial toksikologjik dhe rrezik të mundshëm kancerogjen.