Seanca e fundit parlamentare është shoqëruar me debate mes opozitës dhe mazhorancës. Deputetja demokrate Zheni Gjergji, u ndal te zjarri në landfillin e mbetjeve në Elbasan. Por kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali i ndërpreu fjalën me argumentin se nuk ishte çështje për procedurë. Deputetja demokrate mbajti për pak minuta të bllokuar foltoren dhe u përfshi në debate me Spiropalin.

Gjergji: Zjarri në Elbasan është një alarm i fortë për gjendjen dramatike të mjedisit dhe pasojë e dështimit të projektit të inceneratorit.

Spiropali: Mos abuzo me procedurën

Edhe deputeti demokrat Qani Xhafa i doli në krah koleges së tij, i cili tha se zjarri në landfill ka qenë i qëllimshëm.

Xhafa: I është vënë zjarri fushës së mbetjeve pranë landifillit, një ditë pasi prokuroria e Elbasanit thirri 21 persona, nëpunës të bashkisë Elbasan dhe punonjës të inceneratorit, për zhdukjen e provave aty është vënë zjarri. Është i qëllimshëm. E kam paralajmëruar më herët që në Elbasan do kemi katastrofë të rëndë mjedisore. Tetari që bëri dje kryeministri, të ndalonte te inceneratori dhe t’i kërkonte falje banorëve të Elbasanit për ata katastrofë që ka krijuar. Ajo fushë të bllokohet dhe të gjendet vend i përshtatshëm për mbetjet urbane.

Ndërsa deputetja Jorida Tabaku kërkoi debat parlamentar në Kuvend lidhur me zjarrin.

Ajo tha se duhet të mbajë përgjegjësi për tre kontratat korruptive të inceneratorëve.

Tabaku: Sot asnjë nga inceneratorët nuk punon, Kuvendi duhet të marrë përgjigje për tre kontrata korruptive. Ky skandal mjedisor vazhdon dhe agravohet. Nëse kuvendi nuk diskuton për këtë për çfarë do diskutojë. I bashkohemi kërkesë së Gjergjit për të pasur debat parlamentar për këtë çështja.

Spiropali: Bëjeni kërkesën siç ua kërkon rregulloja, jo duke u ngritur për propagandë të ditës.