Prokuroria e Posaçme dhe Prokuroria e Veronës, përmes një operacioni të përbashkët kanë sekuestruar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat kalonin vlerën e 4 milionë eurove.
Këto pasuri, ishin vendosur në emër të Suel Çelës dhe vëllait të tij.
Për Prokurorinë e Veronës ky është rasti i parë i një organizate kriminale shqiptare, e cila investon në pasuri të paluajtshme në territorin e një shteti të Bashkimit Europian, në këtë rast, Italisë.
Pasuritë e sekuestruara janë:
Një ndërtesë, pasuri e paluajtshme në Nogarole Rocca (Verona)
Një ndërtesë, në vlerë rreth 3 milionë euro, e përbërë nga 30 njësi (zyra dhe dyqane) (Verona)
Një llogari bankare ku depozitoheshin qiratë e zyrave dhe dyqaneve (rreth 400 mijë euro në vit)
Një shoqëri tregtare që operonte në fushën e ndërtimit, me kuota 100% në Itali.
Hetimet konstatuan se këto pasuri janë krijuar dhe financuar me përfitimet nga trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut në tregjet europiane. Vëmendja u përqëndrua tek një shoqëri e pasurive të paluajtshme në Itali, të cilës i dërgoheshin shifra të mëdha parash, përmes sistemit bankar. Ka rezultuar se paratë vinin nga Shqipëria, pasi organizata kriminale i transferonte të ardhurat nga një shoqëri tregtare në Shqipëri, në pronësi të dy vëllëzerve shqiptarë dhe këto shuma investoheshin në Itali në ndërtim, rikonstruksionin e ndërtesave, të cilat, më pas jepeshin me qira.
Njëri prej dy vëllezëve është shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa tjetri ndodhet në një burg në Belgjikë. Ky i fundit u arrestua në Verona, në qershor të vitit 2024, pas ekzekutimit të një urdhër-arresti, të lëshuar nga autoritetet belge, mbi dyshimet për përfshirje në një vrasje mafioze në Antwerp, si pasojë e konflikteve mes grupeve rivale të trafikut të drogës.
Për këtë të fundit ka gjithashtu një vendim të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, pas hetimeve të kryera nga SPAK, për veprat penale: “Vrasje me paramendim”, “Mbajtje dhe prodhim pa leje të armëve”, “Trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.
Falë skuadrës së përbashkët hetimore mes Prokurorisë së Veronës dhe SPAK u konstatua se përdorimi i burimeve të mëdha financiare që derdheshin nga Shqipëria në ekonominë italiane, përfaqësonte edhe hallkën përfundimtare të pastrimit të parave, të kryera nga jashtë vendit përmes një shoqërie tregtare në Shqipëri, në pronësi të organizatës kriminale.
Në Shqipëri, janë kryer transaksione të dyshimta të pasurive të paluajtshme, me qëllim pengimin e gjurmueshmërisë së origjinës së paligjshme të parave dhe në këtë mënyrë organizata përfitonte shërbime të “pastruara”, me fitimin e përftuar nga transaksionet e dyshuara, të cilat mund të ripërdoreshin në investime në prona të paluajtshme, në territorin italian.
Gjithashtu janë sekuestruar pasuritë e paluajtshme dhe burimet financiare që i përkasin administratorit të një shoqërie të pasurive të paluajtshme në Verona, në pronësi të një çifti shqiptarësh, të përfshirë në të kaluarën në trafikun e lëndëve narkotike. Ata konsideroheshin si njerëzit e besuar të dy vëllezërve dhe rezultuan të figuronin në listën e pagesave të organizatës kriminale. Kontrolle janë kryer edhe ndaj subjekteve kryesore dhe ndihmësve të tyre italianë, me qëllim gjetjen e provave të mëtejshme.