Nënkryetarët e bashkive duhet të ndryshojnë, i shoh shumë të lodhur dhe të rraskapitur
Njëjtë si ajo shprehja: “oreksi vjen duke ngrënë”, edhe kryeministri Edi Rama duket se nuk është ngopur me “kokat” e drejtorëve të Bashkive dhe po kërkon më shumë. Në takimin e thirrur sot me kryetarët e Bashkive në Durrës, Rama u kërkoi të gjithë kryebashkiakëve që të shkarkojnë nënkryetarët në ditët në vazhdim.
Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se të gjithë nënkryetarët duhet të shkarkohen, pasi janë të lodhur dhe duhen rifreskuar me figura të reja.
“Nënkryetarët e bashkive duhet të ndryshojnë, i shoh shumë të lodhur dhe të rraskapitur. I shoh të rraskapitur, si të doni edhe dy vjet keni. I shoh shumë të lodhur, shumë. Unë them se te nënkryetarët duhet të bëni një ndryshim të madh, dhe fakti që ju qeshë më tregon se jeni lodhur duke i mbajtur në krah”, u tha Rama kryetareve të Bashkisë.
Më tej ai kërkoi që pushteti vendor të përqëndrohet më shumë në trajtimin e mbetjeve dhe ta trajtojnë këtë problem që në zanafillë.
“Të filloni të punoni për ndarjen në burim për riciklim e ripërdorim, se nuk mund të jetë kjo histori: hidh plehrat, mbulo kazanët me plehra dhe më pas merri e çoji në venddepozitim… Kjo është një sfidë e kalimit nga fshati në qytet, në kuptimin e të bërit nga një vend fshat në një vend qytet i Europës dhe i kalimit nga një shekull në një shekull tjetër në sensin e përkatësisë europiane”, tha Rama.