Përplasja politike mes Endrit Shabanit dhe Adriatik Lapaj, dy personazhe politikë të cilët firmosën formimin e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” për parlamentaret e 11 majit, ka degraduar deri në kërcënime personale dhe shkak për këtë është bërë 1 mandat i fituar në Tiranë, e për të cilin palët nuk bien dakort se kush duhet ta gëzojë.

Së fundmi emisioni investigativ “Piranjat”, kanë publikuar një audio ku dëgjohet një aktivist i Adriatik Lapaj, i paidentifikuar, që kërcënon Endrit Shabanin dhe të afërmin e tij, Zeqir Kordhoni, i njohur si dajo i Shabanit.

O Endri, dole shumë i pabesë, po ta thotë shoku jot. Do të kushtojë rëndë kjo. Ne nuk do ta lëmë kurrë Adriatikun vetëm. Adriatiku mbrapa ka një ushtri të tërë. Por ti, me ato nënrrogozat tuaja, bashkë me atë dajon p*dh motre, që do ta gjej se s’ka ku p*dh motre të vejë. Ke bërë gabim të rëndë shumë.

Të futëm në gjirin tonë se të besuam, por dolët shumë të pabesë. Do shihemi së shpejti. Dajo s’ka ku në p*dh të motrës të futet një herë. Dajo do ta paguajë shtrenjtë. Do t’i q*het motra. Do ta shikosh ti”, thuhet në audio.

Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” duke qenë se që prej fillimit ishin kundër “listave të sigurta” vendosën që në zgjedhjet e 11 Majit të shkonin në “listën e mbyllur” me emra kandidatësh fiktivë, të cilët më pas me dakortësinë e palëve do të digjnin mandatin, në mënyrë që në Kuvend të futen kandidatët që morën më tepër vota nga lista e hapur.

Mirëpo kjo marrëveshje është “shkelur” nga Kordhoni, i cili me një shkresë drejtuar KQZ-së ka kërkuar revokim të dorëheqjes nga kandidimi, duke pretenduar mandatin e Tiranës. Sipas arsyetimit të palës “Nisma Thurje”, pakti fillimisht është shkelur nga Lapaj, i cili fillimisht deklaroi publikisht se nuk do e mbante për vete mandatin, dhe më pas vendosi që të ishte ai, si drejtuesi i koalicionit, që të shkonte në Kuvend.

Ndërkohë ditën e djeshme dhe një kandidate e “Shqipëria Bëhet”, vendosi t’i drejtohet KQZ-së me kërkesën për të tërhequr dorëheqjen nga kandidimi.

Fiktivisht mandati i Tiranës i përket 60-vjeçares Ana Dajko, e njohur si tezja e Adriatik Lapaj, pasi është e para në listën e Tiranës. Pas saj në renditje është Livia Stavri, e cila është bashkëshortja e Endrit Shabanit, e cila mund të fitojë vendin në Parlament nëse Dajko vendos të largohet.

Ndërkohë ditën e djeshme, Lapaj me një shkresë publike, i kërkoi drejtuesit të KQZ-së, Ilirjan Celibashit, të bëjë shpërndarjen e mandatit sipas renditjes në listat e hapura. Ndër të tjera ai kërkoi pavlefshmëri të kërkesave për dorëheqje nga kandidimi të kandidatëve të listave të mbyllura me arsyetimin se: “kandidatët e listës së mbyllur për këtë qark kanë paraqitur dorëheqjen nga kandidimi, përpara nisjes së procesit të numërimit të votave. Kjo është një dorëheqje nga kandidimi, jo nga mandati, pasi mandati në këtë fazë nuk ekzistonte ende dhe nuk mund të heqësh dorë nga një ngjarje e së ardhmes”.