Lidhja e më shumë se një martese në të njëjtën kohë do të konsiderohet vepër penale sipas Kodit të ri Penal. Ndëshkimi do të jetë me burgim deri në tre vjet sipas nenit 742 të draftit që është hedhur për konsultim publik.
Bigamia, pra lidhja e dy ose më shumë martesave njëkohësisht dënohet me gjobë ose burgim deri në tre vite.
Nëse personi vazhdon të jetojë në bigami edhe pas një dënimi penal të mëparshëm, atëherë do të ketë një ashpërsim. Parashikohet nga gjashtë muaj deri në katër vite burg.
“Neni 742
Bigamia
1. Lidhja e dy ose më shumë martesash në të njëjtën kohë dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
2. Nëse bigamia vazhdon pas dënimit të parë, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.
3. Ky nen gjen zbatim edhe kur fakti është konsumuar jashtë territorit nga një shtetas shqiptar ose nga një i huaj me banim në Shqipëri ose në dëm të një shtetasi shqiptar ose të një të huaji me banim në Shqipëri, në vende apo shtetas të vendeve që e lejojnë bigaminë.”