Policia nuk ka lejuar futjen e gazetarëve në ambientet e redaksisë, duke i privuar nga ushtrimi i punës së tyre
Forca të shumta policie kanë rrethuar godinën e News24, ku gjithashtu operojnë edhe një seri mediash të tjera, brenda të njëjtës kompani mediatike.Dhjetra forca policore, sipas raportimeve nga gazetarët e News24, kanë rrethuar godinën duke mos lejuar hyrjen e punonjësve.
Mësohet se ambientet ku operon News24 dhe mediat e tjera si Panorama, BalkanËeb, Gazeta Shqiptare, i kanë kaluar shoqërisë ‘KAYO’, e cila është krijuar me një vendim Qeveria dhe veprimtaria e saj do të jetë për prodhimin dhe tregtimin e armëve.

Kjo duket se është edhe arsyeja që i gjithë ky operacion policor për të nxjerrë jashtë ambienteve grupin mediatik po drejtohet nga Ardi Veliu, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili është edhe drejtuesi i shoqërisë KAYO. Kjo e fundit, bazuar në vendimin e Qeverisë, do të operojë në ambientet e ish-Uzinës së Autotraktorëve, ku prej më shumë se dy dekadash operon edhe News24 dhe mediat e përfshira në këtë grup mediatik, bazuar në kontratat me qeveritë e mëparshme. Sipas News24, policia nuk ka lejuar futjen e gazetarëve në ambientet e redaksisë, duke i privuar nga ushtrimi i punës së tyre. Gjithashtu pretendohet se forcat e policisë nuk kanë asnjë vendim Gjykate apo nuk kanë njoftuar më parë lidhur me këto veprime, që konsiderohen si arbitrare.

Veprimet arbitrare kanë vijuar me ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike, çka paralizon aktivitetin normal të mediave.
