Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe disa liderë të tjerë evropianë mbërritën në Shtëpinë e Bardhë të hënën për t’u takuar presidentin amerikan, Donald Trump, në kuadër të bisedimeve të reja që synojnë t’i japin fund luftës në Ukrainë.

Më poshtë  gjeni disa prej pikave kyçe të këtij samiti shumëpalësh.

Një takim Putin-Zelensky në horizont?

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se e kishte telefonuar Vladimir Putin për të organizuar bisedime dypalëshe midis liderit rus dhe Zelensky. Pas kësaj, do të kishte edhe një takim trepalësh që do të përfshinte vetë Trumpin.

Trump dhe evropianët nuk bien dakord për armëpushimin

Trump duket se e ka minimizuar rëndësinë e armëpushimit përpara negociatave të mëtejshme për t’i dhënë fund luftës, që u kundërshtua nga liderët evropianë. “Nuk mund ta imagjinoj që takimi i ardhshëm të ndodhë pa një armëpushim”, ka thënë kancelari gjerman Friedrich Merz. “Pra, le të punojmë për këtë dhe të përpiqemi të ushtrojmë presion ndaj Rusisë”.

Trump jep sinjale për garanci sigurie

Trump ka thënë se SHBA-ja do të ndihmonte në garantimin e sigurisë së Ukrainës. Kjo është deklarata më vendimtare që ka bërë ndonjëherë për këtë çështje, e cila është njëkohësisht shqetësim kyç për Ukrainën. Nuk është ende e qartë se çfarë forme do të merrnin këto garanci, teksa mundësitë përfshijnë: trupa të huaja në terren, patrullime të përbashkëta detare dhe ajrore, ndarje të inteligjencës apo mbështetje logjistike.

Zelensky nis ofensivën e tij “të hijshme”

Në një ndryshim të dukshëm nga vizita e tij e mëparshme e tensionuar në Shtëpinë e Bardhë, Zelensky është treguar më i qetë dhe i sjellshëm të hënën, i veshur me kostum, me një letër personale nga bashkëshortja e tij dhe disa “falënderime” të njëpasnjëshme në minutat e para të takimit.