Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, do të zhvillojë ditën e sotme një takim konsultues me krerët e grupeve parlamentare për të diskutuar mbi formimin e organeve të reja të parlamentit. Takimi do të mbahet në orën 11:00 dhe pritet të trajtojë përzgjedhjen e anëtarëve të delegacioneve, Byrosë së Kuvendit dhe Këshillit për Mandatet dhe Rregulloren.
Gjatë mbledhjes, Peleshi do t’u prezantojë palëve edhe një draft për ndryshimin e shpejtë të Rregullores së Kuvendit, i cili synon rikonceptimin e Komisioneve Parlamentare. Ky model është propozuar më herët nga kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste më 11 shtator, ku u bë edhe prezantimi i kabinetit të ri qeveritar.
Plani i mazhorancës ditën e nesërme Kuvendi pritet të mblidhet paradite për ngritjen e Këshillit të Mandateve dhe pasdite të votojë rregulloren e re dhe përbërjen e komisioneve.
Aktualisht, PS ka mbajtur 7 komisione dhe opozita 4, duke e përjashtuar këtë të fundit nga Komisioni për Integrimin Evropian, të cilën e konsideron strategjike. Megjithatë, opozita nuk ka votat për të bllokuar ndryshimet, të cilat miratohen me 71 vota.
Pas përmbylljes së ristrukturimit të Parlamentit, Kuvendi do të zhvillojë një debat dy-ditor, të enjten dhe të premten, për programin e ri qeverisës dhe përbërjen e kabinetit “Rama 4”.