Vrasja e Klevis Lleshit, të riut nga Burreli që u zhduk në vitin 2020 dhe u gjet i groposur dy vite më vonë në një fshat të Kurbinit, është zbardhur pas pesë vitesh nga SPAK.
Prokuroria e Posaçme ka lëshuar 4 urdhër arreste, njëri prej të cilëve është ekzekutuar.
Tre të tjerët janë në kërkim. Dyshohet se porositësi i vrasjes ka qenë Aurel Hoxha, pronar i lokal “Monopol”, i cili ndodhet në zonën e Myslym Shyrit në Tiranë.
Vrasja është zbardhur nga transkriptimet e SkyEcc. Porositja nga Aurel Hoxha dyshohet hakmarrja për vrasjen e të vëllait Agim Hoxha në vitin 2012.
Policia dhe FNSH kanë ushtruar kontrolle rreth orës 04:00 në subjektin e tij në Myslym Shyri, por edhe në disa qytete të tjera.
Pritet një reagim zyrtar nga ana e SPAK për të zbardhur rolin e personave, ndaj të cilëve është lëshuar urdhër arresti.
Klevis Lleshi, i riu nga Burreli, u zhduk në gusht të vitit 2020, pa lënë asnjë gjurmë. Vetëm në shkurt të vitit 2023 hetuesit arritën të hedhin gjurmë mbi zhdukjen e tij.
Ishin banorët e fshatit Shpërdhet të Kurbinit që gjetën mbetjet kockore të të riut dhe pas ekzaminimeve të kryera nga Instituti i Policisë Shkencore, me anë të ADN-së u vërtetua që kemi të bëjmë me Klevis Lleshin.