Katër shqiptarë janë dënuar me rreth 25 vite burg në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u kapën duke trafikuar kokainë me vlerë mbi 4 milionë paund në qytetin e Southampton.
Në mesin e tyre është dhe 28-vjeçari, Bekim Halilaj, i cili u gjet i varur në një tabelë në qendër të Brukselit, dy ditë më parë.
Më herët autoritetet goditën grupin kriminal, ku të përfshirë ishin shtetasit Nuri Mucmataj, Fitim Halilaj dhe Tamas Hela.
Goditja e grupit kriminal dhe arrestimi:
Policia britanike ndaloi një furgon tip ‘Astra’ më 21 prill 2017 në Southampton, ku gjeti kokainë me vlerë 140 mijë paund, 30 mijë paund para të gatshme, si dhe dy anëtarë të bandës, Tamas Hela dhe Fitim Halilaj.
Mjeti ishte modifikuar me ndarje të fshehta për të transportuar drogën dhe paratë pa u zbuluar.
Pas ndalimit, policia kreu bastisje në Carrington House, në zonën Westwood Road, ku arrestoi Bekim Halilajn dhe sekuestroi kokainë me vlerë 10 mijë paund.
Ndërkohë, Nuri Mucmataj u arrestua në një tjetër bastisje në Rrugën Ted Bates, në zonën Bargate.
Hetimet zbuluan se banda sillte drogën nga Essex dhe e shpërndante në rrugët e Southampton.
Sipas gjykatës, kokaina ishte e cilësisë së lartë, me pastërti deri në 91%. “Ky ishte një operacion metropolitan droge”, tha gjykatësi Robin Rowland, duke theksuar se baza e përgatitjes së drogës ishte banesa në Carrington House.
Policia britanike konfirmoi se të gjithë ishin në vend ilegalisht dhe përdornin identitete të rreme për të qëndruar në Angli dhe për të fshehur aktivitetin e tyre kriminal.
Dënimet:
Nuri Mucmataj, 26 vjeç – 8 vjet e 6 muaj burg
Bekim Halilaj, 21 vjeç – 7 vjet burg
Fitim Halilaj, 27 vjeç – 4 vjet e 6 muaj burg
Tamas Hela, 24 vjeç – 4 vjet e 6 muaj burg