Dy mjekë të maternitetit ‘Koço Gliozheni’ në Tiranë, janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Tiranës për shkak të vdekjes së një foshnje në korrik të vitit 2021. Bëhet fjalë për mjeken Aida Hoxhën dhe mjekun roje Ervis Vata, të cilët dyshohen nga prokuroria për veprën penale ‘Neglizhenca në trajtimin mjekësor’.
Sipas organit të akuzës, mjekja Aida Hoxha që u kujdes në procesin e shtatëzanisë, si dhe mjeku roje Ervis Vata, kanë qënë shkaktarët për humbjen tragjike të jetës së një foshnje të sapolindur.
Prokuoria sqaron se nga aktet e ekspertimit doli qartë se vdekja e foshnjës erdhi si rezultat i dëmtimeve të rënda gjatë lindjes, të shkaktuara nga përdorimi i forcepsit, një mjet që përdoret zakonisht në lindjet e vështira.
Sipas aktit të ekspertizës mjeko-ligjore, dëmtimet që çuan në shok traumatik hemorragjik të foshnjës, kanë ardhur nga mungesa e ndërhyrjes në kohë nga mjekët.
Denoncimi ka ardhur nga nëna e foshnjes që I denoncoi mjekët gjinekologë për neglizhencë mjekësore. / abcnews.al /