Pak javë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, në sallën e gjyqit, që tronditi mbarë vendin, një tjetër ngjarje e rëndë raportohet në dyert e gjykatave.

Një seancë gjyqësore, në Gjykatën e Elbasanit, është shoqëruar me debate të forta mes prokurorit dhe avokatit, ku ky i fundit ka përfunduar në prangat e policisë.

Top Channel ka mundur të sigurojë audioregjistrimin e debatit mes prokurorit Gjergj Ceka e avokatit Ulian Bajrami, audioregjistrim të cilin të dyja palët institucionale të përfshira e interpretojnë në favor të tyre.

Avokati Bajrami: Do të merrem personalisht edhe me prokurorin, edhe me të gjithë oficerët e policisë. Do të bëj kallëzim.

Gjyqtarja: Avokat nuk funksionon me kërcënim në sallën e gjyqit. Nuk ka rëndësi çfarë bëni ju me kë të doni jashtë kësaj salle.

Avokati Bajrami: Po konstatoj vepër penale znj. gjyqtare.

Gjyqtarja: Avokat do marr masa në bazë të asaj që më lejon kodi i procedurës. Ky lloj kërcënimi me mua si gjyqtare nuk të lejohet. Përqendrohu te mbrojtja që do i bësh të pandehurit tënd, ose do caktoj një avokat tjetër e do të nxjerrë përjashta nëse vazhdon me këtë gjuhë komunikimi. Paralajmërimi i fundit.

Avokati Bajrami: Nga sa pashë, konstatoj pasqyrim të të dhënave të rreme…

Ndërkohë menjëherë pas arrestimit të avokatit ka reaguar Dhoma Kombëtare e avokatisë e cila e konsideron debatin një përballje të armëve te barabarta në sallën e gjyqit. Sipas dhomës së avokatisë, avokatit i është hequr e drejta e fjalës, qëndrim që e mbështet edhe kryetari i dhomës së avokatisë së Elbasanit i cili ka qenë prezent në sallën e gjyqit në momentin e debatit.

Debati mes avokatit dhe prokurorit erdhi pas interpretimit të provave për të cilat ishin vënë në dispozicion pamjet filmike.

Bëhet fjalë për aksionin blic të disa ditëve më parë të policisë së Elbasanit ku u arrestua edhe shtetasi Maksim Lika. Ndërkohë që Lika akuzohet për kundërshtim të punonjësit të policisë dhe armëmbajtje pa leje pala mbrojtëse pretendon se në pamjet filmike Lika nuk ka qenë i pranishëm në konfliktin me policinë.

Pas seancës, prokurori ka paraqitur kallëzim ndaj avokatit, i cili është ndaluar të shtunën pasdite nga policia për veprat penale “kanosje për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”, dhe “Kanosja e gjyqtarit”.

Si palë e përfshirë nuk ka një reagim nga Organi i akuzës i cili pretendimet e tij do ti paraqesë në seancë gjyqësore.

Për këtë ngjarje reagoi dhe policia e Elbasanit, duke shkruar:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Elbasan ndaluan me iniciativë shtetasin U. B., 37 vjeç, banues në Tiranë, avokat, pasi gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit, ka kanosur prokurorin e çështjes dhe oficerët e policisë gjyqësore, për shkak të detyrës së tyre funksionale.