Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet për ngjarjen e shtetasit Mirel Çokaj, i cili u gjet i pajetë në një humnerë në malet e Kelmendit, në Malësinë e Madhe, më 18 shtator të këtij viti. Fillimisht, policia raportoi se bëhej fjalë për një rrëzim aksidental, por pas dyshimeve të familjarëve, çështja nuk është pushuar. Hetimet janë hapur paraprakisht për veprën penale “shkaktim i vetëvrasjes”.
Sipas të dhënave, trupi i pajetë i Çokajt u lokalizua përmes dronit, ndërsa Forcat e Ushtrisë ndërhynë me helikopter për të nxjerrë trupin nga humnera, rreth 24 orë pas njoftimit.
Familjarët e 40-vjeçarit kanë ngritur dyshime për vrasje, duke pretenduar se ai ndodhej në një parcelë kanabisi, rreth një orë larg vendit ku u gjet trupi. Sipas tyre, kanabisi ishte gati për t’u korrur, dhe pikërisht në këtë periudhë Çokaj humbi jetën. Dyshimet janë shtuar edhe për faktin se telefoni i tij nuk është gjetur ende, çka ka ngritur hipotezën se mund të jetë zhdukur qëllimisht për të fshehur provat.
Pas ngjarjes, policia gjeti dhe asgjësoi 780 bimë kanabis sativa në zonën ku ndodhej parcela.
Aktualisht, Prokuroria e Shkodrës po merr në pyetje familjarët, të afërmit dhe persona të tjerë, për të përcaktuar nëse vdekja e Mirel Çokajt lidhet me një vrasje të mundshme, siç pretendojnë të afërmit e tij.