Gati 10% e europianëve nuk kanë një mik të ngushtë: Një raport i ri i OECD-së, i bazuar mbi një anketim të kryer në 22 vende të BE-së, tregon se miqësia po bëhet një koncept për i largët për europianët, 3% e të cilëve raportojnë po kështu se nuk kanë anëtarë të ngushtë të familjes.

Raporti Lidhjet Sociale dhe Vetminë del po kështu në përfundimin se në mesin e grupeve më të cënueshme nga vetmia në Europë janë të rinjtë dhe meshkujt. Individët e papunë dhe ata me të ardhura të ulëta kanë gjithashtu rreth dy herë më shumë gjasa të raportojnë se ndihen të vetmuar, shkruan Euronews.

Në 21 vende europiane, ndërveprimet e përditshme me miqtë dhe familjen kanë ardhur vazhdimisht në rënie në periudhën e viteve 2006, 2015 dhe 2022. Ndikim shumë të madh duket të ketë pasur edhe pandemia e koronavirusit, që shtoi kontaktin në distance.

Në 2022-shin, pjesa e njerëzve që raportuan se ndiheshin të vetmuar “shumicën e kohës” ose “gjithë kohës” ishte më e larta në Francë dhe Lituani, përkatësisht 11% dhe 9%. Ndjenja e vetmisë, sipas ekspertëve, ndikon më 871,000 vdekje globale çdo vit. Vetmia është gjithashtu e lidhur me performancë më të dobët në punë, një rrezik më të lartë papunësie ose braktisjeje të hershme të arsimit, dhe mund të ndikojë në mënyrën e votimit.

Në mesin e të anketuarve në BE, grekët dhe sllovenët rezultojnë ata që bashkëveprojnë me miqtë ose familjen çdo ditë, ndërsa më të tërhequrit janë lituanezët. Hungaria ka pjesën më të lartë të të anketuarve që raportojnë se nuk kanë asnjë miq të ngushtë, ndërsa Belgjika ka pjesën më të lartë të të anketuarve që raportojnë se nuk kanë asnjë anëtar të ngushtë të familjes.