Policia ka vënë në pranga 67-vjeçarin Rushan Selko që abuzoi me një 12-vjeçare në Pogradec duke e lënë atë shtatëzënë.

12-vjeçarja ka kallëzuar se në muajin gusht 2025, Rushan Selko ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj, në banesën e tij.

Denoncimi është bërë në prani të prindërve të saj, psikologut dhe prokurorit, ndërsa e mitura ka deklaruar gjithashtu se është 22 javëshe shtatzënë.

E mitura e terrorizuar, fillimisht,  nuk u ka treguar prindërve të saj për ngjarjen pasi Rushan Selko, e ka kërcënuar vazhdimisht me jetë nëse ajo u tregonte prindërve.

12-vjeçarja tregoi para prokurorit se 67-vjeçari Rushan Selko e lidhi në banesën e tij.

Kanë qenë prindërit e vajzës të cilët e kanë çuar për vizitë vajzën pasi po shtonte peshë në mënyrë të pakuptimtë për të zbuluar më pas nga mjekët se ishte shtatzënë 4 muajshe.

Familjarët e të miturës, jashtë kamerave, janë shprehur se me autorin e dyshuar kishin shumë miqësi dhe rrinin shpesh në shtëpitë e njëri-tjetrit. Ndaj nuk kanë patur dyshime që kjo mund të ndodhte.

Mësohet se 67-vjeçari është baba i 4 fëmijëve si dhe është edhe gjysh. Ndërsa mitura tashmë ndodhet nën kujdesin e prindërve dhe psikologëve pasi është në gjendje tepër të rënduar psikologjike.

Policia bën me dije se hetimet po vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa për shkak të ndjeshmërisë së çështjes dhe për mbrojtjen e të miturës, nuk do të jepen detaje të tjera.