Nga Peter Poensgen, BILD

Kryengritja kundër regjimit të mullahëve në Iran po merr gjithnjë e më shumë jetë njerëzish. Foto dhe pamje video tronditëse nga Qendra Mjeko-Ligjore Kahrizak në Teheran tregojnë familjarë të dëshpëruar e në zi – si dhe rreshta të pafund trupash të pajetë në thasë plastikë, nën qiell të hapur. Viktima të sundimtarëve iranianë dhe veglave të tyre.

Që nga fillimi i protestave kundër udhëheqjes iraniane dy javë më parë, sipas rrjetit të të drejtave të njeriut Human Rights Activists News Agency (HRANA), me seli në SHBA, të paktën 544 persona janë vrarë deri tani – mes tyre edhe fëmijë dhe 47 pjesëtarë të forcave të sigurisë. Numri real i viktimave mendohet të jetë më i lartë; raporte të pakonfirmuara flasin për më shumë se 2000 të vrarë. Protestat janë përhapur në 186 qytete.

BBC-ja britanike citoi të dielën një burim nga Teherani që tha: “Gjendja këtu është shumë, shumë e rëndë”. Forcat e sigurisë kanë qëlluar me municion të vërtetë. “Është si në një zonë lufte, rrugët janë plot gjak. Kufomat po i transportojnë me kamionë”, thuhej më tej. Këto të dhëna nuk mund të verifikoheshin fillimisht.

Sipas HRANA-s, deri tani në Iran janë arrestuar më shumë se 10.600 persona. Organizata mbështetet në një rrjet aktivistësh brenda Iranit. Regjimi në Teheran nuk ka publikuar ende shifra zyrtare për viktimat. Vëzhguesit jashtë vendit frikësohen se mullahët po e shfrytëzojnë bllokimin e internetit për t’i shtypur protestat edhe më brutalisht.

Që prej së enjtes, udhëheqja iraniane ka bllokuar internetin, pjesërisht edhe lidhjet telefonike. Qëllimi është të vështirësohet komunikimi mes protestuesve dhe të shtypet publikimi i raporteve, fotove dhe videove mbi protestat masive. Një lidhje me botën e jashtme do të ishte e mundur përmes sistemit satelitor Starlink të miliarderit të teknologjisë Elon Musk (54), nëse do të ekzistonin terminalet e nevojshme.

Teherani ka njoftuar se do të veprojë me ashpërsi ndaj demonstruesve. Secili prej tyre mund të akuzohet si “armik i Zotit”, deklaroi në televizionin shtetëror Prokurori i Përgjithshëm Mohammed Mowahedi Asad. Edhe ata që ndihmojnë nxitësit e trazirave mund të dalin para gjykatës nën këtë akuzë, e cila dënohet me vdekje.

Presidenti amerikan Donald Trump (79 vjeç) e kishte paralajmëruar Iranin kundër vrasjes së demonstruesve. “Ua kam bërë të ditur se do t’i ndëshkojmë ashpër nëse fillojnë të vrasin njerëz, gjë që ata e bëjnë me dëshirë gjatë trazirave të tyre, të cilat ndodhin shpesh”, tha ai. Aktualisht, presidenti thekson se Irani dëshiron të negociojë dhe se po përgatitet një takim.

Megjithatë, për shkak të asaj që po ndodh në Iran, SHBA-të ndoshta duhet të veprojnë edhe më herët, paralajmëroi Trump duke iu referuar protestave të vazhdueshme. Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghtschi (63 vjeç) deklaroi se situata në Iran është plotësisht nën kontroll.

Image
Image
Image