Disa vende anëtare të NATO-s kanë njoftuar se do të dërgojnë forca ushtarake në Groenlandë për të marrë pjesë në stërvitje të përbashkëta me Danimarkën, në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka shtuar deklaratat kërcënuese për aneksimin me forcë të ishullit strategjik në Arktik.
Gjermania, Suedia, Franca dhe Norvegjia kanë konfirmuar dërgimin e personelit ushtarak në Greonlandë, ndërsa Kanadaja dhe Franca kanë paralajmëruar gjithashtu hapjen e konsullatave në Nuuk, kryeqytetin e territorit autonom danez, në javët e ardhshme.Kryeministri suedez Ulf Kristersson bëri të ditur përmes rrjetit social X se oficerë suedezë, së bashku me trupa nga vende të tjera aleate, do të përgatiten për stërvitjen e përbashkët të quajtur “Operacioni Arktik i Qëndrueshmërisë”.
Nga ana e tij, presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se njësitë e para ushtarake franceze janë nisur tashmë drejt Groenlandës, ndërsa të tjera do t’u bashkohen në vijim.
Ministria Gjermane e Mbrojtjes deklaroi se po dërgon një ekip zbulimi prej 13 ushtarakësh për një mision eksplorues, me ftesë të Danimarkës dhe në bashkëpunim me vende të tjera partnere. Edhe Norvegjia ka konfirmuar dërgimin e dy përfaqësuesve të saj ushtarakë në Groenlandë.






