Senegali është kampioni i Afrikës për vitin 2026, pas triumfit 1-0 ndaj Marokut në finalen dramatike të luajtur në Rabat. Një ndeshje e fortë, me emocione të mëdha dhe tension deri në sekondat e fundit, që do të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve.

Pjesa e parë u karakterizua nga ekuilibri dhe rastet e pakta. Rasti më i pastër erdhi në minutën e 37-të, kur Iliman Ndiaye doli i vetëm përballë portierit Bono, por ky i fundit reagoi në mënyrë spektakolare. Në pjesën e dytë Maroku shtoi presionin, por El Kaabi dhe Ez Abde nuk arritën të konkretizonin.

Minutat shtesë të kohës së rregullt sollën kaos: një penallti për Marokun në minutën e 90+8’ u shoqërua me protesta të ashpra nga Senegali. Pas rikthimit në fushë, Brahim Diaz gaboi nga pika e bardhë, duke çuar ndeshjen në shtesë.

Aty vendosi gjithçka Pape Gueye, i cili në minutën e katërt të shtesës realizoi një gol fantastik nga distanca. Senegali mbrojti me qetësi avantazhin dhe pas 120 minutash u shpall kampion i Afrikës.