Kryesisht grurë e misër, për të bërë bukë apo makarona… gjatë vitit të shkuar u importuan më shumë se 374 mijë ton drithë. Sasia e drithit të hyrë gjatë 2025-ës u zgjerua me gati 40 mijë tonë në raport me 2024-n.

Zef Gjeta, pedagog për bujqësinë, u shpreh për A2CNN: “Rritja e importeve vjen për shkak të mungesës së prodhimit vendas. Kemi reforma, por jo akte konkrete. Nuk ka financime për bujqësinë”.

Ndryshimet në gjeografinë e tregtisë së jashtme, reduktimi i kostove të transportit dhe forcimi i lekut bënë që çmimi i drithit të importuar të ishte më i ulët. Ndonëse u importuan gati 40 mijë tonë më shumë grurë e misër, vlera e paguar për blerjen e tyre ishte gati e njëjtë me 2024-n, vit në të cilin u shpenzuan rreth 10 miliardë lekë.

Andi Haxhiymeri, administrator i një kompanie bloje, thotë: “Tani, drithi po vjen kryesisht nga Serbia. Më herët vinte nga Rusia e Rumania. Kostot rrjedhimisht janë më të ulëta”.

Pavarësisht se në nivele të papërfillshme, Shqipëria arriti vitin e shkuar të eksportonte 248 tonë drithë me vlerë 28 milionë lekë. Në raport me 2024-n, vit në të cili prodhimi vendas rezultoi i dobët, eksportet gati u dyfishuan.

“Kudo në botë prodhimi i grurit subvencionohet. Në Serbi, Kanada, Francë etj, prodhimi i grurit subvencionohet. Nuk mundet fermeri të marrë përsipër të gjithë procesin, tha Haxhiymeri.

Zef Gjeta tha: “Shteti ynë ka dështuar në drejtim të subvencioneve, ndaj jemi në këtë gjendje ku nuk prodhojmë, por importojmë”.

Përfshirë arat, kopshtet, livadhet, lëndinat, kullotat apo moçalet, në Shqipëri ka rreth 875 mijë hektarë tokë. Nga kjo, hapësira që përmban humus e lëndë minerale, thënë ndryshe toka bujqësore, vlerësohet në gati 700 mijë hektarë.

Por, nga viti në vit, sipërfaqja e mbjellë me grurë, misër, tërshërë, elb apo kultura të tjera bujqësore po rrudhet, ndërsa  po zgjerohet hapësira e tokave të djerra. (A2 Televizion)