Dëmtimi dramatik i segmentit të rrugës kombëtare Librazhd – Prrenjas, në zonën e Arrave të Dragostunjës, po merr përmasa me pasoja të rënda infrastrukturore dhe socio-ekonomike, duke paralizuar pjesërisht jo vetëm qarkullimin, por edhe jetën e përditshme të një pjese të konsiderueshme të vendit.
Kjo arterie strategjike, që lidh kryeqytetin me juglindjen, tashmë është kthyer në një pikë kritike kombëtare. Prej disa ditësh, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe të gjitha strukturat shtetërore janë në alarm të plotë për të gjetur jo vetëm një zgjidhje emergjente për zhbllokimin e situatës së paprecedentë, por edhe një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme.
Tryeza maratonë me inxhinierët më të mirë
Burime nga grupet teknike konfirmojnë se diskutimet kanë vijuar nga pasditja e djeshme deri në mesnatë, ndërsa edhe sot paradite pritet një tjetër tryezë intensive me inxhinierët më të mirë të projektimit rrugor në vend. Në fokus është rishikimi i plotë i qasjes teknike ndaj segmentit problematik.
Aktualisht, në tryezën e diskutimeve po qarkullon seriozisht ideja e devijimit të projektit ekzistues. Sipas burimeve të besueshme, shumë shpejt mund të merret një vendim për anulimin e përhershëm të punimeve në segmentin aktual, për shkak se zona ka shfaqur gjatë këtij muaji paqëndrueshmëri të theksuar gjeologjike, duke e bërë investimin me risk të lartë edhe në të ardhmen.
balkanweb






