Ukraina përkujton përvjetorin e katërt të përpjekjes për pushtim të plotë nga Rusia. Një minutë heshtje u mbajt në të gjithë vendin, ndërsa ushtarët ulën flamujt në kryeqytetin Kiev ukrainas për të shënuar një tjetër vit lufte. Një grua, duke fshirë lotët, iu bashkua të tjerëve duke brohoritur: “Lavdi heronjve. Vdekje armiqve, shkruan A2 CNN. Ukraina mbi gjithçka”, përpara se të heshtte përsëri. Presidenti Volodymyr Zelenski, ndërsa përkujton të rënët, thekson se Ukraina ka mbrojtur pavarësinë e saj që nga pushtimi i Rusisë dhe nuk do t’i tradhtojë sakrificat e bëra nga populli, ndërsa kërkon paqe.
“Historia po na vëzhgon nga afër. Marrëveshja nuk duhet thjesht të nënshkruhet, ajo duhet të pranohet nga ukrainasit. Duke hedhur vështrimin pas, në fillim të pushtimit dhe duke reflektuar mbi të sotmen, kemi të drejtë të themi: ne e kemi mbrojtur pavarësinë tonë, nuk e kemi humbur shtetësinë tonë. Ukraina nuk ekziston vetëm në hartë. Ukraina është një aktor në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kryeqyteti ynë qëndron, dhe gjithashtu qytetet e tjera. Putini nuk i ka arritur qëllimet e tij. Ai nuk i ka thyer ukrainasit. Ai nuk e ka fituar këtë luftë. Ne e kemi ruajtur Ukrainën dhe do të bëjmë gjithçka për të siguruar paqen dhe drejtësinë”, tha Zelenski.
Kjo është lufta më e gjatë e Vladimir Putinit. Për Rusinë, pak ditë më parë ajo u bë edhe më e gjatë se Lufta e Dytë Botërore, e cila për Moskën filloi vetëm në vitin 1941, kur Stalini mosbesues u paralajmërua nga gjeneralët e tij se Hitleri kishte pushtuar vendin e tij dhe se aleanca midis komunizmit dhe nazizmit, ishte shkatërruar.
Pavarësisht se sot, lufta në Ukrainë mbush katër vjet, në realitet, ajo ka vazhduar për shumë vite të tjera, pasi filloi në vitin 2014 me pushtimin e parë rus, i cili mori kontrollin në pjesë të Donbasit dhe Krimesë. Por që atëherë, për gati një dekadë, konflikti kishte mbetur me intensitet të ulët, përgjatë një fronti praktikisht të palëvizshëm: gjithçka u trondit nga ndërhyrja masive ruse e shkurtit 2022, kur Putini mendoi se mund ta pushtonte të gjithë Ukrainën “brenda një jave”.
Por gjërat dolën ndryshe. Katër vjet më vonë, negociatat për armëpushim janë duke u zhvilluar midis Moskës dhe Kievit, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, luftimet dhe bombardimet vazhdojnë. Rusia aktualisht ka pushtuar afërsisht 20 për qind të territorit ukrainas. Numri i viktimave, sipas një vlerësimi nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, është gati dy milionë të vdekur dhe të plagosur nga të dyja palët, përfshirë 1.2 milionë rusë. (A2 Televizion)






