Kjo është salla operative e projektit “Smart City”, zemra e teknologjisë që do të monitorojë pjesën më të madhe të vendit. Në funksion të saj do të vendosen mijëra kamera inteligjente, të cilat do të fiksojnë krime të ndryshme, nga krimet e rënda, automjetet të cilat janë shpallur në kërkim, shkelje të ndryshme të qarkullimit rrugor, si dhe vepra të tjera penale që rrezikojnë apo cenojnë sigurinë publike.
Kamera e Vizion Plus është futur brenda sallës operative të “Smart City”. Këto ekrane bëjnë monitorimin në kohë reale të shkollave ku janë instaluar kamerat e teknologjisë së fundit. Shkollat e përzgjedhura do të jenë nën monitorim të rreptë, sidomos gjatë orëve të mësimit, për të parandaluar çdo situatë që mund të krijohet mes nxënësve apo personave të tjerë.
“20 shkolla në Tiranë janë përzgjedhur për t’u integruar në sistemin smart të monitorimit. Janë 20 shkolla me nga 30 kamera secila, të vendosura për qëllimin e monitorimit të aktiviteteve që ndodhin në ambientet e përbashkëta të shkollave, siç janë korridoret, hapësirat e përbashkëta apo perimetri i sigurisë”, tha Anisa Ruseti, zv.ministre e Brendshme.
Alarmi i kuq jepet menjëherë sapo identifikohet një konflikt i mundshëm, duke treguar në kohë reale me pamje të fiksuara edhe armët e ftohta apo sendet e kundërligjshme që mund të përdoren nga autorët.
“Në momentin kur mund të ketë një konflikt të mundshëm mes nxënësve, apo kur do të ketë një mjet prerës, një thikë apo diçka tjetër, sistemi automatikisht do ta alertojë me ngjyrë të kuqe sallën e kontrollit. Ata do të bëjnë njoftimin si fillim të oficerit të sigurisë në shkollë, të drejtorit të shkollës. Më pas do të duhet të njoftohet patrulla që mund të jetë më afër shkollës. Tashmë do të kemi sigurinë maksimale për ta parandaluar ngjarjen që në momentin e parë që ajo shfaqet.”
Jo vetëm në shkolla, por ky projekt pritet të shtrihet në pjesën më të madhe të vendit, duke monitoruar çdo aks rrugor, shesh apo vend publik.
“Projekti është i shtrirë në 12 drejtoritë vendore të Policisë së Shtetit, në 24 bashki, ku do të instalohen më shumë se 5 mijë kamera, të cilat nënkuptojnë jo vetëm radarë inteligjentë për sigurinë rrugore, por edhe kamera të inkorporuara në trupin e Policisë së Shtetit, apo sensorë për ndotjen akustike. Kështu që është një projekt në tërësi, i cili do të sjellë padiskutim më shumë siguri publike për të gjithë qytetarët.”
“Smart City” pritet t’i vijë në ndihmë policisë në ngjarjet e rënda të vrasjeve, duke treguar momentet e krimit apo rrugët që është ndjekur nga autorët, por jo vetëm kaq. Ai do të ndihmojë edhe për sigurinë rrugore, pasi çdo targë problematike do të raportohet. Në të njëjtën kohë, sistemi sinjalizon shkeljet e Kodit Rrugor, si përdorimi i celularit, parakalimet e gabuara, mosvendosja e rripit të sigurimit apo tejkalimi i shpejtësisë.
/vizionplus.tv






