Nga Hamdi Firat Buyuk
Një bos i dënuar i mafias, aktualisht i arratisur në Dubai, ka tronditur vendlindjen e tij Turqinë me një seri videosh që pretendojnë korrupsion dhe krime të tjera në nivelet më të larta të qeverisë turke.
Pretendimet e Sedat Peker, të bëra publike në shtatë video të ngarkuara në YouTube, janë të vështira për t’u verifikuar, por megjithatë po tronditin shumë.
Videot, prej të cilave më e fundit u publikua më 23 maj, janë parë më shumë se 39 milionë herë, një shifër kjo që autoritetet nën udhëheqjen e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan po e kanë të vështirë ta injorojnë.
Analistët thonë se videot e Peker po ekspozojnë lidhjet toksike midis qeverisë, grupeve të krimit, mediave dhe lidervë të bizneseve të ndryshme. Ato po rezultojnë aq të dëmshme saqë e kanë përfshirë ministrin e brendshëm të Turqisë, Suleyman Soylu, në një luftë fjalësh publike me Peker.
Në një nga videot, Peker pretendoi se ai dhe familja e tij e kishin “mbështetur” Soylu për më shumë se 20 vjet, pa ofruar prova.
“Ti ishe bileta ime e kthimit në vend” tha ai, duke iu drejtuar “I pastri Sulejman, luani Sulejman”.
“Do të mposhtesh nga një kamera mbi një tripod”, tha ai.
Soylu u përgjigj më 24 maj, duke thënë për kanalin televiziv HaberTurk se ai nuk kishte lidhje me Peker-in dhe hodhi poshtë të gjitha pretendimet e tij duke e quajtur atë “të çmendur”.
“Nuk jam unë subjekti. Ekziston një operacion kundër Turqisë. Shënjestra është Turqia”, tha ai, megjithatë, pozicioni i tij në qeveri duket të jetë në rrezik.
Ozgun Emre Koc, një shkencëtar politik në Universitetin e Stambollit, tha se pretendimet e Peker përbënin një skandal të madh politik.
“Ka akuza dhe disa fakte në videot e Peker që tregojnë angazhimin e plotë midis qeverisë, shtetit dhe grupeve mafioze”, tha Koc.
“Sistemi gjyqësor nuk mund të veprojë, sepse ai nuk është i pavarur dhe është nën presion të madh nga qeveria. Nëse ai vepron, procesi do të rrëzonte qeverinë turke.
Djali i një familje emigrantësh me origjinë nga Kaukazi, Peker u arrestua në 2005 dhe u dënua në 2007 për ndërtimin dhe kryesimin e një organizate kriminale, grabitje, falsifikim dhe dy akuza për burgim të rremë. Ai u dënua me 14 vjet burg, i cili më vonë u ul në 10 vjet burg.
I liruar në vitin 2014, Peker u bë një mbështetës i zëshëm i Erdoganit, duke përdorur rrjetet sociale dhe duke organizuar tubime politike për të promovuar nacionalizmin dhe historinë turke dhe për të bërë kërcënime kundër intelektualëve, politikanëve të opozitës dhe rivalëve kriminalë.
Ai mburret me më shumë se 1.6 milion ndjekës në Facebook, 1.1 milion në Instagram, më shumë se 560,000 në Tëitter dhe mbi 355,000 në YouTube.
Peker duket se humbi mbështetjen e qeverisë turke dhe në vitin 2019 ai njoftoi se ishte vendosur në Mal të Zi për qëllime arsimi dhe biznesi. Ai për herë të fundit e vizitoi Turqinë në vitin 2020, por u detyrua të priste për orë të tëra nga policia kufitare në aeroportin e Stambollit. Në atë kohë, Peker akuzoi dhëndrin e Erdoganit dhe ministrin e atëhershëm të financave të Turqisë, Berat Albayrak, se donte ta arrestonte atë.
Albayrak dhe Soylu shihen gjerësisht si rivalë brenda Partisë në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim, AKP.
Peker filloi të postonte videot e tij pasi policia turke nisi një operacion mbarëkombëtar kundër operacioneve të tij në prill. Ai u nis për në Emiratet e Bashkuara Arabe pasi bëri një shkelje të ligjit në Maqedoninë e Veriut në një skandal për pasaporta të falsifikuara.
Koc pretendoi se Peker dhe Soylu fillimisht kishin një marrëveshje që ai të kthehej në Turqi.
Ahmet Sik, një gazetar veteran investigativ dhe ligjvënës nga Partia e Punëtorëve të Turqisë, tha se Peker po fliste sepse ai nuk ishte më një lojtar i rëndësishëm.
“Shteti në Turqi ka bërë gjithmonë punë të ndyra”, tha Sik për BIRN. “Peker është një nga emrat me të cilët shteti kreu punë të tilla. Me sa duket, emra të tjerë e zëvendësuan Peker-in. Ai po flet tani sepse humbi interesat dhe përfitimet e tij.”