SPAK duket se po çon më në fund drejt mbylljes hetimet për atë që konsiderohet dosja IPARD, e cila ka të bëjë me shpërdorimin e miliona eurove të taksapaguesve europianë, që në vend që të financonin fermerët shqiptarë, janë shpërndarë te oligarkë, personazhe të politikës dhe lidhur me to.

Hetimet e nisura prej më shumë se dy vitesh janë drejt fundit, ndërsa SPAK ka nisur të komunikojë akuzat për personat nën hetim. Ende nuk dihet nëse Frida Krifca, personazhi kryesor në dosjen IPARD, e cila ka qenë drejtuese e AZHBR-së, ndërsa më pas u mor në mbrojtje politike nga Kryeministri Edi Rama, do të përballet me akuzat.

Ndoshta kjo do të jetë prova e parë reale e Klodian Brahos, kreut të SPAK, i cili ka hetuar për rreth dy vite këtë dosje, por ende nuk ka konkluduar nëse Frida Krifca do të merret ose jo e pandehur.

I pari që është përballur me komukimin e akuzave nga SPAK ishte Reni Ashiku, që u paraqit në SPAK me mbrojtësin ligjor, ku iu komunikua akuza e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm për dosjen e IPARD.

Ashiku është admninistrator i kompanisë Converse Management Consulting (CMC), shoqëri e cila ofron shërbime konsulence edhe në fushën e agrobiznesit.

Komunikimi i akuzave ndaj personave nën hetim lidhur me dosjen e IPARD ka ardhur pak ditë pasi Frida Krifca, ish-drejtuese e AZHBR-së, u thirr në Prokurorinë Speciale, ku është marrë në pyetje për disa orë nga agjentët e BKH-së.

Ish-drejtuesja e AZHBR u paraqit në SPAK në 17 mars, ku nga raportimet është pyetur me cilësinë e personit që ka dijeni. Ende nuk dihet nëse kreu i SPAK, Klodian Braho, i cili po heton dosjen e AZHBR do të vendosë për të ndryshuar ose jo statusin e Krifcës në raport me hetimet, por një prej bashkëpunëtorëve të saj më të afërt, Reni Ashiku, do t’I duhet të përballet në GJKKO me akuzat e Prokurorisë Speciale.

Me cilësinë e administratorit të Converse Management Consulting (CMC) që është marrë me fondet IPARD, Ashiku ofronte konsulenca në fushën e agrobiznesit dhe realizimi vete dhe për të tretë i projekteve për zhvillim rural dhe bujqësor nëpërmjet asistencës teknike dhe trajnimeve apo shërbimeve këshillimore.

SPAK është treguar hermetic sa i takon hetimeve për një nga dosjet që detyroi Bashkimin Europian jo vetëm të pezullonte fondet e mëtejshme për Shqipërinë në fushën e bujqësisë, por edhe të kërkonte një hetim të plotë mbi personat që kishin abuzuar me qindra miliona euro, që në vend që të shkonin në ndihmë të fermerëve, përfunduan në projekte vilash apo agroturizmi, me lidhje të forta me mazhorancën e Kryeministrit Edi Rama.

“Bazuar në nenet 103 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale, veprimet hetimore që kryhen në fazën e hetimit paraprak përbëjnë sekret hetimor. Duke iu referuar këtyre neneve, nuk mund të bëjmë me dije veprimet hetimore apo rezultatet e tyre”, ishte një nga komunikimet zyrtare të SPAK në fund të 2025-ës, kur i është kërkuar informacion lidhur me hetimet mbi dosjen IPARD.

Procedimi nisi pas kallëzimit të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), e cila evidentoi shkelje në administrimin e fondeve të destinuara për sektorin bujqësor në Shqipëri.

Si pasojë e rekomandimeve të OLAF, Bashkimi Evropian vendosi të ndërpresë financimin përmes programit IPARD 3, duke bllokuar qindra miliona euro që ishin planifikuar si mbështetje për fermerët shqiptarë.

Një hetim i zyrës së BE-së kundër mashtrimit, zbuloi keqpërdorim serioz i fondeve të paraanëtarësimit të BE-së për bujqësinë në Shqipëri dhe rekomandoi bllokimin e paketës 112 milionë euro për programin pasardhës të ndihmës.

Zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, njoftoi se ka identifikuar keqpërdorimin e 33 milionë eurove fonde të BE-së në ndihmë të bujqësisë shqiptare dhe rekomandoi bllokimin e paketës së radhës për sa kohë nuk ka masa për të garantuar mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.

Hetimet e Zyrës Europiane Kundër Mashtrimit, nisën pas denoncimeve të qytetarëve të ndryshëm për korrupsion, favorizime e ndërhyrje politike. Përfaqësuesit e Zyrës europiane kryen disa misione në Shqipëri, duke bërë verifikime në zyrat e AZHBR-së, si dhe duke analizuar dokumentacionin e rasteve të dyshuara, që kishin përfituar nga fondet europiane.

Sipas OLAF, hetimi i tyre zbuloi se aplikuesve u kërkohej të paguanin një përqindje të lartë të grantit te kompani konsulence “të parapërzgjedhura” të cilat lehtësonin realizimin e kontratave me Agjencinë Shqiptare për Zhvillim Rural (ARDA), e cila shpërndante fondet. Por edhe se fondet u përdoren për qëllime të tjera korruptive /Pamfleti/

GEAM Sh.p.k