Policia e Tiranës ka vijuar operacionet për parandalimin dhe goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke finalizuar aksionin e koduar “Zonat”. Si rezultat i këtij operacioni, është arrestuar një 37-vjeçar i dyshuar për furnizimin dhe shpërndarjen e kokainës në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Në pranga ka rënë shtetasi Ksainel Caka, 37 vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap nga shërbimet e Policisë në rrugën “Skënderbej”. Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se ushtronte aktivitet kriminal të shitjes së lëndëve narkotike në zona të ndryshme të qytetit.

Gjatë kontrollit fizik, efektivët i gjetën dhe sekuestruan mbi 200 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e cila u mor në cilësinë e provës materiale.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.

/Vizionplus.tv

GEAM Sh.p.k