Dita e 13-të e “Revolucionit të Flamingove” ka gjetur sërish mijëra qytetarët në shesh. Pas grumbullimit, ata kanë nisur më pas marshimin drejt Kryeministrisë.

Ashtu si në protestat e mëparshme, në shesh kanë nisur të dëgjohen sloganet që tashmë janë kthyer në simbol të protestës, ndërsa flamujt kuqezi dominojnë mes turmës.Thirrje si; “Rama ik”, “Duam drejtësi”, “Atdheu nuk shitet”, “Shqipëri e Re”, “Bashkohuni me ne” dhe “Edi Rama ka mbaru”, dëgjohen në kor gjatë gjithë marshimit.

Edhe në ditën e 13-të, nuk mungon as ‘esenca’ e kësaj proteste, pankartat me mesazhe dhe ‘meme’ që shpalosin kreativitetin e të rinjve në këtë tubim.

Dita e 13-të vjen pas një marshimi maratonë një natë më parë, ku mijëra qytetarë qëndruan për orë të tëra në rrugët e Tiranës, duke kaluar nga bulevardi drejt zonës së Korpusit Universitar dhe më pas duke u rikthyer sërish në qendër të qytetit.

Ajo që bie në sy gjatë këtyre ditëve është fakti se protesta ka tejkaluar prej kohësh kauzën që e ndezi fillimisht.

Në rrugët e Tiranës nuk dëgjohen vetëm thirrje kundër qeverisë, por edhe kundër klasës politike në tërësi, duke reflektuar një pakënaqësi më të gjerë që shkon përtej një çështjeje të vetme.

GEAM Sh.p.k