Emigrimi, plakja e popullsisë dhe pjesëmarrja e ulët në trajnim po tkurrin forcën e punës së Shqipërisë, ndërsa numri i vendeve të lira po rritet shpejt.

Popullsia e vendit ra me rreth 430,000 banorë ndërmjet viteve 2011 dhe 2023. Tkurrja prej afro 14% e çoi popullsinë rezidente në rreth 2.4 milionë banorë, një rënie që raporti i OECD-së, “Indeksi i Politikave për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi 2026 – Profili Ekonomik i Shqipërisë”, e lidh me emigrimin e vazhdueshëm dhe normat e ulëta të lindshmërisë.

Raporti, i cili vlerëson politikat dhe kushtet për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në vend, nënvizon se presioni mbi tregun e punës shkon përtej numrit të banorëve që janë larguar.

Numri i shqiptarëve që jetonin jashtë vendit vlerësohej në më shumë se 1.2 milionë në vitin 2024, ose mbi 230,000 persona më shumë se në vitin 2015. Norma e emigrimit arriti në 31.1%, e dyta më e lartë në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.

Prirja mund të vazhdojë. Një anketë e vitit 2023 tregoi se pothuajse dy të tretat e popullsisë në moshë pune (rreth 67%) do ta konsideronin emigrimin nëse do t’u jepej mundësia, ndërsa rreth 13% deklaruan se kishte gjasa të largoheshin në vitet e ardhshme.

GEAM Sh.p.k