Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot fshatin Orizaj, në bashkinë Berat, ku një 15-vjeçar ka humbur jetën pasi u mbyt në lumë.
Sipas informacioneve paraprake, i riu, Fatjon Sadushi, ishte duke punuar në arë së bashku me babain e tij. Në një moment, ai ka hyrë në lumë për t’u freskuar dhe për t’u larë, por rrjedha e ujit e ka marrë disa metra më poshtë.
Babai i 15-vjeçarit ka ndërhyrë menjëherë për ta shpëtuar dhe ka arritur ta nxjerrë në breg, por fatkeqësisht djali nuk ka pasur shenja jete.
Në vendngjarje kanë mbërritur efektivë të policisë dhe ekipi i ambulancës, i cili ka transportuar trupin e pajetë drejt Morgut të Spitalit Rajonal Berat, ku pritet t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Paraprakisht dyshohet se 15-vjeçari është mbytur aksidentalisht gjatë kohës që po lahej në lumë.
© SYRI.net






