Nje shkrim nga aktivistja Flora Xhemani Baba per akuzat e hedhura ne drejtim te figures se saj nga Gent Progni!

Një përgjigje (e gjatë) miqësore për Gent Prognin dhe akuzën “1 milion euro”

I dashur Gent!

Ti, prej datës 1 qershor 2026, je në shesh si një prej zërave dhe fytyrave kryesore të Protestës Kombëtare, dhe ke luftuar pa u lodhur bashkë me shokët e tu, për të mbajtur një peshë jo të vogël mbi kurriz, e cila pavarësisht se është luhatur mes akuzave dhe kundërshtive, ka çuar përpara këtë protestë të pandodhur më parë në Shqipëri, deri sot në ditën e 51-të.

Edhe unë, ashtu si ti, jam në këtë protestë prej ditës së parë në shesh, bashkë me familjen time, bashkëshortin dhe dy djemtë. (bashkangjitur fotot, në rreth të kuq, ato në ditën e sulmit të policisë në bulevard dhe tek Parlamenti).

Në vazhdën e këtyre 50 ditëve Fonia dhe Mikrofoni, janë sulmuar dendur dhe unë kam qenë një prej mbrojtëseve më të flakta, duke argumetuar se me gjithë difektet e një grupi heterogjen që koordinon protestën, puna e tyre për të mbajtur mbi kurriz peshën e qindra mijëra njerëzve, është kolosale dhe nuk e bën kushdo.

Erdhi një moment që rrugët tona, diversifikuan mendimin se si duhet të vazhdojë protesta. Ti (dhe një pjesë e grupit koordinues), nuk ishe dakord për idenë e mbledhjes në një “Kuvend”. Unë si pjesëmarrëse në protestë dhe jo pjesë e ndonjë grupi, pashë me interes ftesën e hapur të një pjese tjetër të grupit koordinues dhe të disa prej protesuesve që kërkon që protesta të organizohet në një stad tjetër.

Kjo na bën të ndryshëm në gjetjen e rrugëve për tek qëllimi por të njëjtë në kauzën e përbashkët, që është rrëzimi i sistemit 35-vjeçar.

Kur ti u shprehe (edhe publikisht) kundër krijimit të Kuvendit (megjithëse më parë je shprehur pro), askush nuk doli të të shajë publikisht, aq më tepër të merret me jetën tënde personale apo me bizneset e tua ose me mënyrën si e fiton ti jetën.

Pse ti, sapo u bë mbledhja e parë për krijimin e Kuvendit fillove të merresh me jetët tona personale, duke na akuzuar pa të drejtë, duke qepur vokalisht copëza të aktiviteteve tona të përditshme në mënyrë të gënjeshtërt, duke përfshirë biznese të tjera që nuk kanë lidhje as me protestën, as me biznesin tim, duke e ditur shumë mirë (pa i nxjerrë emrat qëllimisht)?

Pse gënjeve kur the se ishim në takime nëpër hotele kur unë dhe im bir, ishim “Live” përpara Parlamentit? (bashkangjitur fotot). Pse gënjeve kur the se ne bënim mbledhje ne “Kuvend” kur ne në orën 19.30 ishim të gjithë në shesh në krah të Benit?

A e ke luftën me ne që jemi përditë në shesh edhe pse kemi mendime të ndryshme apo e ke me sistemin që po luftojmë së bashku?

Çfarë të bën ty të kesh të drejta mbi Protestën dhe mua jo, nëse jemi aty përditë në shesh, si qindra e mijëra të tjerë? Çfarë fiton ti personalisht, duke hedhur baltë mbi emrin tim, që kam 22 vjet që nuk e kam ndotur asnjëherë, megjithëse kam qenë mes shoqërisë dhe politikës?

A i shërben kjo Protestës? A e bën më të fortë apo më të dobët?

Kush fiton nëse dalim kundër njëri-tjetrit, qoftë edhe duke patur qëndrime të ndryshme mbi ecurinë e protestës?

Ti mund ta vazhdosh sërish “luftën” dixhitale me mua por dije se fituesi i vetëm i kësaj lufte është Edi Rama si “mbreti” aktual i një sistemi 35-vjeçar që po kërkojmë të rrëzojmë. Dije gjithashtu se po e vazhdove, do ta vazhdosh prapë i vetëm. Unë nuk e kam as në natyrë e as në parimet e mia morale, të “gërmoj” në jetën e tjetrit për ta baltosur, nëse nuk jam dakord me qëndrimet e tij publike.

Ti mund të jesh krejtësisht në rregull me shtetin, bizneset e tua, mënyrën si e fiton jetën por mund të kesh edhe plot probleme të natyrës ligjore. Unë nuk kam ndër mend të merrem me këtë.

Edhe pse akuza jote është e rëndë dhe një shkatërruese e imazhit tim, unë nuk do të luftoj me ty por do të vazhdoj të luftoj në protestë për rrëzimin e sitemit.

Shihemi në shesh!

Më poshtë për ty dhe për transparencë të opnionint publik, po bëj një historik të punës time gati 22-vjeçare.

Prej 21 vjetësh, unë punoj në turizëm si gazetare dhe në marketingun turistik ku fokusi i biznesit tonë familjar, është të botojmë materiale promovuese, libra-guida, harta, Revistën Travel (prej vitit 2011) dhe promovim online. Në harkun kohor të këtyre 21 viteve, kemi shpërndarë nëpër Shqipëri dhe botë me mijëra ekzemplarë të botimeve tona, që në fokus kanë promovimin e Shqipërisë.

Unë ushtroj një aktivitet privat si person fizik në emrin Floresha Baba (Studio Blu), me nipt aktiv L1307043R (mund ta verifikoni) prej vitit 2010.

Në vitin 2005 themeluam biznesin Blue Agency sh.p,k, për të qenë ligjërisht në rregull si biznes me status juridik por kur Berisha e vuri kufirin e TVSH-së në 50 milion, e mbyllëm dhe hapëm biznes të vogël person fizik sepse xhiroja jonë vjetore, nuk e përballonte koston e taksave dhe të shpenzimeve të tjera që rridhnin nga një biznes me TVSH.

Në punën tonë prej dy dekadash, kemi punuar me qindra mijëra klientë, që nga bujtinat e vogla e deri tek hotelet apo bizneset e mëdha, që sot shpeshherë etiketohen me termin “oligarkë”.

Unë edhe mund të përmend plot prej tyre por për etikë të respektit dhe konfidencialitetit, nuk po e bëj, edhe pse puna jonë është publike dhe emrat e tyre mund t`i gjeni edhe në faqet tona, prej vitit 2010, kur jemi bërë pjesë e rrjetit social Fejsbuk.

E kemi pasur edhe shtetin klient kur ka kërkuar të blejë librat tanë ose revistën (me kopje ose artikuj) dhe natyrisht e kemi faturuar.

Kemi faturat e ruajtura që nga janari 2006 e deri më sot. Kemi punuar me djersë, ditën, natën, me fëmijët me vete në çdo cep të Shqipërisë dhe nuk kemi marrë kurrë asnjë cent si favor as nga shteti e as nga askush përveçse në sajë të punës tonë, timen dhe të bashkëshortit tim e më vonë, të fëmijëve tanë (që kanë ndihmuar prindërit qysh në vogëli e që kanë njohur më shpejt rrugët e Shqipërisë sesa hapat e tyre të parë).

Të ardhurat tona vijnë nga puna jonë dhe në vite, kemi një historik të pasur kredish të vogla e të mesme (edhe aktualisht jemi në një kredi), me të cilat përballojmë shpenzimet e jetës si të gjithë shqiptarët e zakonshëm që përbëjnë atë që quhet “shtresa e mesme e shoqërisë”.

Kemi qenë në çdo cep të vendit duke i dhënë zë çdo fshati e bujtine të largët, kur qeveria nuk e kishte ende “në listë” turizmin. Kemi “dëshmitarë” e miq në të gjithë Shqipërinë e Kosovën dhe besoj se ata mund ta vërtetojnë këtë jo vetëm me produktet tona që i kanë në hotelet restorantet dhe bujtinat e tyre por edhe me komunikimin e vazhdueshëm që kemi e ruajmë në përditshmëri, duke e përcjellë zërin e tyre në media sa më shumë që të jetë e mundur.

Në vitin 2024, pas 20 vjetësh në fushën e marketingut dhe botimeve turistike, menduam ta zgjerojmë aktivitetin me futjen e sektorëve të tjerë “travel & marketing” si paketat turistike dhe marketing digital & evente. Altus Albania, ku unë vendosa të përfshihem si partnere, ka pikërisht këtë fokus dhe operon brenda fushës që unë njoh më mirë.

Altus Albania dhe Altus Group, janë dy biznese të ndryshme, me nipte të ndryshme dhe me fokus të ndryshëm. Aktivitetet e të dyjave nuk kanë lidhje më njëra-tjetën. Altus Albania është Travel & Marketing, Altus Group është import-eksport. (bashkangjitur në postim janë niptet e dy kompanive)

Pikërisht për të mos abuzuar me shtetin dhe për të mos kryer disa aktivitete tregtare të ndryshme më një nipt të vetëm, Altus Albania operon me niptin e saj.

Të gjitha këto që thashë janë të verifikueshme në bashki dhe QKB. Mund t’i verifikojë kushdo që kërkon më shumë info.

Tani, unë nuk e di akoma që të jetë krim, të hapësh biznes në Shqipëri, të provosh tregun, veten, të kryesh operacione tregtare krejtësisht legalë, për të gjetur shtratin e suksesit dhe të fitimit. Unë di që është shkelje ligjore të bësh biznes pa qenë i regjistruar në QKB dhe jo duke qenë i regjistruar.

Projekti “Lule T`bukra ka Tirona”, është aktvitet i zhvilluar në mënyrë krejtesisht publike dhe ligjore, nga Altus Albania, me aplikim nga thirrja e hapur dhe ka vlerën 2.870.000 lekë të reja gjithsej (bashkangjitur keni listën e shpenzimeve). Ata që merren me projekte e dinë mirë çfarë janë “zërat” dhe në zërin që Altus Albania mbulon, (foto/video-promovim) janë 150 000 lekë të reja (nga këto 20% TVSH). Pjesa tjetër jnaë shpenzime për zëra të tjerë, (foni, stenda, lule etj) por që nënkontraktohen. 30% e kësaj shume, është “pjesa ime”.

Nga ana tjetër rimbursimi i TVSH-së është i faturave të Altus Group, niptin e të cilës unë e kam publikuar për transparencë, (bashkangjitur edhe një prej faturave të rimbursimit), edhe pse nuk kam asnjë të drejtë të publikoj të dhëna të bizneve që nuk janë të miat dhe të përfshij në “lojë” biznese që janë në të drejtën e tyre, krejtësisht në rregull me shtetin dhe nuk kanë asnjë lidhje, as me mua, as me protestën. Pra “qepja” e emrit, “projekt”, fatura, “rimbusim”, “xhiro 1 milion euro” dhe bashkia e Tiranës, ka prodhuar fjalinë “Flora oligarkja që ka marrë 1 milion euro fonde nga Bashkia Tiranë”

Nuk di transparencë më të madhe se kjo, pra që t`ju tregoj dokumetet bashkangjitur, si dy aktivitete të ndryshme.

Në 21 vite punë në turizëm, unë kam qenë në aktivitete të përbashkëta me Sali Berishën, Edi Ramën, Lulzim Bashën, kam dalë në fotografi me ministrin e turizimit të radhës, me Eglantina Gjermenin, Arben Ahmetajn, Milva Ekonomin, jam ulur në forum me Blendi Klosin, Mirela Kumbaron, kam intervistuar ministra, drejtorë turizmi e kryetarë bashkish dhe jam përfshirë në projekte e bashkëpunime me organizata e drejtori turizmi, kam organizuar evente dhe kam dhënë çmime, të cilat për më tepër i kam bërë dhe publike sepse nuk kam asgjë për të fshehur dhe nuk kam marrë zarfe poshtë tavolinës, por i kam shoqëruar me fatura të rregullta, kopjet e të cilave janë në sistem ose në bllok.

A më bën kjo mua bashkëpunëtore me pushtetin? A më bën kjo mua “oligarke”?

Fakti që dikush i gjen këto fatura me një të klikuar në thesarin e shtetit, tregon që jam në rregull apo që jam një përfituese dhe shkelëse ligji?

Nëse po, atëhere jam një oligarke që marr para dhe fonde nga shteti.

Edhe pse unë nuk aspiroj të hyj as në ndonjë parti, as në ndonjë lëvizje politike, si njeri i përfshirë në jetën shoqërore, dhe e akuzuar drejtpërdrejt nga Gent Progni, ndjeva detyrim ndaj atyre që më njohin por edhe atyre që s`më njohin, të përgjigjem publikisht, meqenëse prej fillimit të protestës jam angazhuar fort në luftën kundër sistemit. Edhe pse unë nuk administroj fonde publike por vetëm aktivitetin tim privat, kam qenë dhe do vazhdoj të jem për transparencën dhe kemi qenë vazhdimisht të hapur e të sinqertë (ndoshta edhe më shumë se ç`duhet) me miqtë dhe ndjekësit tanë.

Unë nuk kam qenë asnjëherë në asnjë parti dhe as kam ndër mend të jem. As nuk dua e nuk pretendoj të jem në Kuvendin që po përpiqemi të krijojmë. Besoj se Shqipëria dhe Diaspora ka plot burra e gra më të mirë se unë, që me emrin e tyre e lartësojnë edhe Kuvendin Qytetar, edhe imazhin e Shqipërisë që po kërkojmë të ndërtojmë.

Nëse të jesh një qytetare e angazhuar, ka këtë kosto të rëndë publike e morale, atëherë unë do të punoj edhe më fort, që kjo të ndryshojë dhe njerëzit të “përplasen” me ide dhe jo me sulme personale, duke e ilustruar këtë në vetë të parë me qëndrimin tim.

Unë jam vetëm një individ që po jap kontributim tim, si të gjithë, që Shqipëria ta kalojë më në fund këtë transzicion të gjatë e ku e gjithë shoqëria të jetojë me dinjitet dhe në sajë të meritokracisë e punës se ndershme. Kur e gjithë kjo të mbarojë dhe ta kemi fituar luftën me sistemin, unë do të tërhiqem në jetën time të mëparshme dhe do të vazhdoj të merrem me turizëm dhe me promovimin e Shqipërisë tonë të dashur.

Deri atëhere, ju ftoj të na bashkoheni në protestë dhe shihemi në shesh

GEAM Sh.p.k