Një nga figurat më të komentuara të protestës së kaluar para Kuvendit rezultoi të ishte shefi i Komisariatit nr.1, Ilir Hasrama, i cili u vu në qendër të kritikave për mënyrën se si drejtoi ndërhyrjen e policisë ndaj protestuesve.
Hasrama u filmua në disa momente teksa urdhëronte shoqërimin e qytetarëve pa ndonjë shkak të dukshëm, ndërsa në raste të tjera efektivët përdorën spray me piper ndaj protestuesve paqësorë. Sipas pamjeve të shpërndara në rrjetet sociale, ndërhyrjet e policisë erdhën edhe ndaj qytetarëve që mbanin një megafon në dorë apo brohorisnin slogane kundër deputetëve.
Pas publikimit të videove, protestuesit identifikuan efektivin si Ilir Hasrama, shef i Komisariatit nr.1. Në fund të përplasjes, ai u godit me një vezë në sy nga një protestues i revoltuar, episod që u bë menjëherë viral në rrjetet sociale dhe shoqërohej me komente të shumta që dënonin sjelljen e tij gjatë protestës.

Por episodi me vezën duket se nuk u mbyll aty. Disa ditë më vonë, përpara Komisariatit nr.1, ku dhjetëra qytetarë ishin mbledhur për të kërkuar lirimin e protestuesve të arrestuar, ngjarja u kthye në objekt ironie dhe talljeje ndaj shefit të policisë.
Mes thirrjeve kundër arrestimeve dhe kundër mënyrës së veprimit të policisë, turma brohoriste vazhdimisht në kor: “Si e ke synin?”, një slogan që i referohej drejtpërdrejt incidentit me vezën dhe që u kthye në simbol të pakënaqësisë së protestuesve ndaj Ilir Hasramës, të cilin ata e konsiderojnë përgjegjës për sjelljen e ashpër të forcave të rendit.
Edhe këtë të hënë nuk munguan tensionet. Policia arrestoi sërish disa qytetarë gjatë protestës së zhvilluar para Parlamentit. Të ndaluarit pretendojnë se janë shoqëruar pa asnjë bazë ligjore, vetëm për faktin se ishin ndër protestuesit më aktivë, mbanin megafonë ose organizonin thirrjet kundër politikanëve, duke ngritur akuza se policia po synon të frikësojë zërat kritikë në protesta.






