Sistemi mbrojtës kundërajror i Izraelit i njohur si “kupola e hekurt”, ka rrëzuar aksidentalisht një dron të ushtrisë izraelite gjatë luftimeve të fundit me Hamasin në Rripin e Gazës, kanë bërë të ditur zyrtarë të ushtrisë izraelite.
Siç raporton e përditshmja Haaretz, zëdhënësi i ushtrisë izraelite ka njoftuar se “kupola e hekurt” ka goditur dronin Skylark, kurse janë duke vazhduar hetimet për të përcaktuar faktorin që mund të ketë çuar te ky gabim, transmeton Telegrafi.
Skylark janë fluturake të vogla pa pilot që i ka ndërtuar Elbit Systems, kompania izraelite që merret kryesisht me prodhimin e pajisjeve të ndryshme ushtarake.
Ato i përdor njësia Sky Rider nga korpusi i forcave ajrore të ushtrisë izraelite, që kryesisht shërbejnë për monitorim. E Haaretz shkruan se ushtria izraelite është e brengosur për këtë incident.
“Kupola e hekurt” është sistemi mbrojtës kundërajror me rreze të shkurta veprimi, i dizajnuar për të shpërthyer në ajër raketat e armikut.
Ai përdoret nga ushtria izraelite që nga viti 2011, dhe ka për qëllim zvogëlimin e numrit të viktimave nga sulmet me raketa mbi qytetet izraelite.
“Kupola e hekurt” është dizajnuar dhe zhvilluar nga kompanitë Rafael Advanced Defence Systems dhe Israel Aerospace Industries – me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara.