Edicioni i dytë i Ligës së Kombeve bëhet gati për të ulur siparin e kësaj faze dhe siç dihet mesjavën e ardhshme me ndeshjet që do të luhen ditën e martë dhe të mërkurë do të mbyllen përfundimisht sfidat në grupe. Llogaritë në divizionin elitar mbeten ende të ndërlikuara, megjithatë në shumicën e grupeve gjithçka pritet të zgjidhet nëpërmjet ndeshjeve direkte.
Një prej takimeve më interesante pritet të luhet në Leuven, ku do të matin forcat në një duel të drejtpërdrejtë Belgjika dhe Anglia. Në Grupin e Dytë të divizionit kryesor në UEFA Nations League bën pjesë gjithashtu edhe përfaqësuesja e Danimarkës, që e ka vetë në dorë fatin e kalimit të kësaj faze, pasi është e kuptueshme që nëse bardhekuqtë i fitojnë që të dy takimet në dispozicion me Islandën dhe Belgjikën atëherë “dinamiti danez” do të hedhë në erë shpresat e “Djajve të Kuq” dhe kombëtares së “Tre Luanëve” për të bërë mirë në këtë kompeticion, por sidoqoftë bëhet fjalë për dy shtete me shumë emër në Kontinentin e Vjetër, që pozicionohen në dhjetëshen e parë të botës.
Për hir të së vërtetës në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s Belgjika vazhdon të kryesojë renditjen botërore, ndërsa Anglia pozicionohet në vendin e katërt me 96 pikë më pak, se skuadra e drejtuar nga trajneri Roberto Martinez. Pesë javë më parë në Wembley Romelu Lukaku zhbllokoi rezultatin nga pika e bardhë e 11-metrave pas vetëm çerek ore lojë dhe në fakt belgët u dukën në kontroll të plotë të ndeshjes, por një pakujdesi në zonë e mbrojtësit Thomas Meunier dhe penalltia e shkaktuar nga mbrojtësi i Borusias së Dortmundit kthyen në lojë skuadrën e drejtuar nga trajneri Gareth Southgate, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë një përmbysjeje të madhe.
Falë suksesit 2-1 të muajit të kaluar në Londër Anglia mori kreun e Grupit të Dytë, sidoqoftë gjërat ndryshuan përsëri, sepse vetëm pak ditë më vonë kombëtarja e “Tre Luanëve” zhvilloi një ndeshje të shëmtuar në kryeqytet, duke u mundur brenda në shtëpi nga Danimarka, ndërsa “Djajtë e Kuq” në krahun tjetër shkuan e mposhtën Islandën në ishull, falë dy golave të Lukaku-t. 27-vjeçari me origjinë kongoleze ka lënë pas problemet fizike dhe sulmuesi i Interit përbën pa dyshim një ndër pikat më të forta në skuadrën e drejtuar nga spanjolli Roberto Martinez. Vetë 47-vjeçari katalanas e njeh shkëlqyeshëm lojën dhe mentalitetin e skuadrës angleze, pasi në të kaluarën trajneri Roberto Martinez ka drejtuar me radhë në ishull klube si Swansea City, Wigan Athletic dhe Everton. Vendasit mund të kualifikohen automatikisht për në fazën finale të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve, nëse mundin Anglinë në ndeshjen direkte dhe Danimarka dështon për të mposhtur Islandën në Copenhagen. Bardhekuqtë janë dukshëm të favorizuar për të siguruar 3 pikët në Parken, duke patur parasysh që skuadra ishullore harxhoi shumë energji në duelin e play off-it me Hungarinë, ndërsa Belgjikës mund t’i interesojë edhe një barazim në këtë duel.
Të merresh me llogari këto kohë është tepër e rrezikshme, sidoqoftë duke marrë në konsideratë triumfin 2-0 në sfidën e parë në Kopenhagen Belgjika nuk është e shtrënguar për të fituar patjetër dy sfidat e fundit në grup, madje me një përllogaritje fare elementare “Djajtë e Kuq” do të kualifikohen për në fazën gjysmëfinale, në divizionin elitar të Ligës së Kombeve edhe thjesht me dy barazime, për më tepër të mërkurën në mbrëmje skuadra e trajnerit Roberto Martinez do të ketë sërish avantazhin e faktorit fushë, pasi ndeshja me Danimarkën do të luhet përsëri në Qytetin e Leuvenit.
Trajneri iberik nuk ka pesë lojtarë në dispozicion, megjithatë nga këta futbollistë i vetmi që pritej të aktivizohej si titullar ishte Eden Hazard, që siç dihet është infektuar nga pandemia e koronavirusit. Trajneri Roberto Martinez ka preferuar për të mos grumbulluar dy lojtarë si Timothy Castagne e Yannick Carrasco, kështu që në krahun e majtë me shumë gjasa do të zbresë në fushë nga minuta e parë futbollisti i Dortmundit Thorgan Hazard.
Disfata në Wembley përfaqëson humbjen e vetme për “Djajtë e Kuq” në 16 sfidat e fundit në të gjithë kompeticionet, gjithsesi ekipin e drejtuar nga trajneri Gareth Southgate e pret një mision shumë i vështirë, duke patur parasysh faktin që Belgjika numëron plot 23 ndeshje pozitive në shtëpi. Pra e thënë ndryshe plot 21 përfaqësuese kanë udhëtuar drejt Belgjikës që nga viti 2016 dhe në fakt në këto katër vjet asnjë ekip nuk ia ka dalë t’i thyejë “Djajtë e Kuq” brenda në shtëpinë e tyre. Disfata e fundit brenda është harruar krejtësisht, megjithatë sa për ta kujtuar humbjen e fundit në shtëpi belgëve u a ka shkëkatuar Spanja e Lopetegui-t në Bruksel 50 muaj më parë, me rezultatin 2-0.
Në krahun tjetër më në fund Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nëpërmjet Departamentit të Transportit vendosi të bëjë përkohësisht një përjashtim dhe një aplikim shumë të kufizuar të rregullave të përcaktuara për masat anti-COVID, për të gjithë ata që hyjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Danimarka, kështu që takimi Angli – Islandë do të zhvillohet normalisht të mërkurën e ardhshme në Stadiumin Wembley dhe në këtë mënyrë me këto ndryshime futbollistët dhe pjestarët e stafit të përfaqësueses ishullore nuk do të jenë më të shtrënguar për t’iu nënshtruar masave të izolimit për një periudhë 2 javore. 50-vjecari nga Watfordi ka probleme të shumta me formacionin, sepse përveç dy lojtarëve të skualifikuar Harry Maguire e Reece James do të mungojnë për arsye dëmtimi gjithashtu edhe Trent Alexander – Arnold, Joe Gomez dhe Marcus Rashford.
Disfata me Danimarkën përfaqëson humbjen e vetme për kombëtaren angleze në 9 sfidat e fundit, gjithsesi skuadra e “Tre Luanëve” ka një bilanc tepër pozitiv në përballjet me Belgjikën, teksa ka fituar 16 dhe humbur vetëm 3 nga 24 ndeshjet mes tyre, me një golaverazh të përgjithshëm 72-29, por historia ndryshon ndjeshëm në sfidat kompetitive ku dy vendet ndajnë nga 2 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje.
Ndeshja do të luhet në stadiumin “Den Dreef”, në Leuven, në orën 20:45, dhe do të drejtohet nga arbitri holandez Danny Makkelie. Po në të njëjtën orë Italia duhet të mundë patjetër Poloninë në stadiumin “Mapei” në Reggio Emilia, për t’u rrëmbyer vendin bardhekuqve në Grupin e Parë, grup ku një kërcënim serioz për kreun përbën gjithashtu edhe përfaqësuesja e Holandës.