Komisioni Hetimor për shkarkimin e Metës, ka lexuar sot gjetjet përfundimtare për presidentin, që sipas tyre ka shkelur Kushtetutën, duke qenë i anshëm përgjatë gjithë muajit të fushatës. Gjatë komentimit që i bëri raportit Braho tha se Meta ka rënë moralisht, dhe në ndryshim nga pretendimet që bën ai nuk është garanti i Kushtetutës.
“Dua të nënvizoj faktin, varet si e shikon gjithësecili nga ne apo si e ka të fiksuar një nocion që lidhte me kompetencat e presidentit në përgjithësi dhe kompetencën që shpesh thuhet, por që këtu ekspertët e nënvizuarn se Presidenti nuk ka kompetencë të jeë garant i kushtetutës, nuk është garant i kushtetutës, cdo organ është i detyruar të zbatojë Kushtetutën por nuk është ai roja i kushtetutës në kuptimin e gjerë të fjalës. Se e keni parë e dëgjuar ai ka luajtur shumë në prononcimet e tij “unë jam i vetmi që garantoj zbatimin e kushtetutës” gjë e cila nuk është e saktë”, tha Braho.
Për Brahon, Presidenti Ilir Meta “ka rënë edhe moralisht”, ndërsa mbështeti idenë se shkarkimi i Metës mund të jetë dhe objekt i punës së gjykatës kushtetuese.
“Duke qenë se materiali i ka kushtuar vëmendje argumentimit në mënyrë të gjerë e shteruese që presidenti ka shkelur rëndë kushtetutën, unë do mendoja që përvec këtij fakti, që është ligjor, dhe ky është material i mirëfilltë ligjor që do kalojë dhe në filtra të tjerë sic është Gjykata Kushtetuese, do nënvizojmë dhe faktin tjetër.
Ky president ka rënë moralisht! Ky është një perfundim sa logjik por saq dhe i kuptueshëm e i pranueshëm për opinionin, presidenti aktual ka rënë moralisht në sytë e opinionit vendas, politikës, ndërkombëtarëve, ai nuk ka funksionuar dhe s’ka vazhduar të funksionojë si president dhe për mjaft arsye morale, vecanërisht që janë pjesë dhe të atij marteriali të gjerë kinematografik se kështu do konsiderohen më vonë, filma multiplikativ me presidentin tonë. Ky material mendoj që do shoqërohet dhe me prova që duhet të listohen”, tha Braho.
Ndërkohë që në një reagim të Tedi Blushit, presidenca ka deklaruar se nuk ka asnjë interes të dijë vendimet që do të marrë komisioni.