Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e rëndë që tronditi fshatin Bardhaj të qytetit të Shkodrës, ku u ekzekutua me breshëri kallashnikovi 25-vjeçari Emiljano Ndou.
Autori i arrestuar në lidhje me ngjarjen, Mark Kodra, 47-vjeç, mësohet se ka deklaruar përpara hetuesve se e ka kryer krimin pasi 25-vjeçari kishte kohë që e mundonte duke i sjellë probleme.
“Nuk e durova më. Ma kishte sjellë te hunda”, ka deklaruar autori në momentin e arrestimit nga policia e Shkodrës.
Autori ka pohur se përpara ekzekutimit 25-vjeçari i ka kaluar me motor përpara banesës duke i shkaktuar zhurmë.
Por mësohet se debati mes tyre ka nisur më përpara, pasi viktima dyshohet ka ngacmuar vajzat e autorit Mark Kodra.
47-vjeçari ka treguar se në momentin që ka dëgjuar motorin e 25-vjeçarit, ka marrë armën automatik kallashnikov dhe ka dalë nga banesa si dhe ka qëlluar në drejtim të tij duke e lënë të vdekur në vend.
Pas krimit të rëndë 47-vjeçari është rifutur në banesë, ku dhe ka pritur i qetë uniformat blu me armën e krimit në dorë.