Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi, zhvilloi ditën e sotme një takim në prokurorinë e Elbasanit ku prezantoi Kreshnik Ajazin, drejtuesin e ri të prokurorisë në këtë qark. Në fjalën e tij Ibrahimi teeksa i uroi suksese kryeprokurorit të Elbasanit, theksoi se KLP po punon për t;ju garantuar prokurorëve autoritetin dhe sigurinë në ushtrimin e detyrës.
“Drejtuesi i prokurorisë ka një rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen dhe eficiencën e punës në prokurori. Deri tani kemi arritur të emërojmë 5 drejtues prokurorish dhe mendoj se kemi bërë zgjedhje të mira. Elbasani është një prokurori e cila kërkohet nga prokurorët, KLP nuk ka vështirësi të plotësojë vakancat nëse ato dalin. Mënyra si ne garantojmë karrierën e prokurorëve është thelbësore për eficiencën e sistemit. Prokurorët duhet të mësohen me pavarësinë e tyre në ushtrimin e detyrës. KLP po punon për t’ju garantuar juve autoritetin dhe sigurinë për të kryer detyrën”, tha ai.
Nga ana e tij, Kreshnik Ajazi u shpreh se është i angazhuar me përgjegjshmëri për zgjidhjen e çështjeve problematike në Elbasan.
“Gjatë 2020, kemi trajtuar një numër të madh çështjesh dhe kemi rezultate të prekshme në goditjen e strukturave kriminale në bashkëpunim me strukturat policisë. Rezultatet janë të prokurorëve, jo të miat. Elbasani ka problematikat e veta, jemi angazhuar me gjithë kapacitetet në hetimin sa me më përgjegjshmëri të çështjeve sensitive për opinionin publik. Jemi të angazhuar të kemi rezultate konkrete në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Keni nevojë për investime në siguri fizike në institucion, përcaktimin e statusit të nëpunësve civile në prokurori dhe i kemi kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm zgjedhjen e këtyre problemeve. Në prokurorinë e Elbasanit nuk ka asnjë zëvendësim prokurori gjatë 2020 pa shkak ligjor”, tha ai.