Një ngjarje e rëndë është shënuar në Itali një ditë më parë, ku një 35-vjeçar i quajtur Andrea Pignani, doli nga shtëpia dhe qëlloi për vdekje me armë një të moshuar dhe dy fëmijë të mitur, që po luanin në kopshtin e shtëpisë së tyre.
Autoritetet kanë publikuar së fundmi një foto të autorit, i cili, u gjet rreth tri orë pas krimit i vdekur në banesën e tij, në periferi të Romës. Mediat shkruajnë se Pignani, ka përdorur për kryerjen e krimit të rëndë, pistoletën e babait, i cili i vdiq pak muaj më parë.
Nga krahu tjetër, prindërit e të miturve, Daniel 10 vjeç dhe David 5, që mbetën të vrarë dje nga të shtënat, kanë deklaruar para mediave se nuk e kishin parë kurrë 35-vjeçarin dhe se nuk kishin pasur asnjëherë probleme me të.
Çfarë ka thënë policia
Emri i autorit Andrea Pigani nuk ishte i panjohur për karabinierët. Ai rreth një muaj më parë ishte arrestuar prej tyre, pasi kishte kërcënuar me thikë të ëmën, por ishte liruar përsëri, pasi është konsideruar si një individ me sëmundje të shëndetit mendor.