Pas humbjes 2-0 në Ukrainë përballë Shakhtar Donetsk, Reali i Madridit ka komplikuar ecurinë në Ligën e Kampionëve, ndërsa pankina e Zinedine Zidane është lëkundur sërish, por vetë francezi deklaroi se as që e çon nëpër mend dorëheqjen.
Në deklaratën e dhënë pas ndeshjes, Zidane pranoi vështirësitë që po kalon skuadra, kryesisht në aspektin e rezultateve, por theksoi se është i bindur të vijojë përpara dhe të rikthejë normalitetin në ekip.
“Nuk e kam menduar dorëheqjen. Kemi pasur momente të komplikuara dhe një situatë vërtetë të keqe në aspektin e rezultateve, megjithatë duhet të shohim përpara. E dinim që sot do të ishte një finale dhe e kishim përgatitur mirë. Bëmë një pjesë të parë shumë të mirë, por nuk arritëm të shënojmë, megjithatë kemi edhe një ndeshje dhe duhet ta fitojmë patjetër”, u shpreh Zidane.