OSBE në Tiranë organizon sot në Tiranë konferencën “Përpjekje të përbashkëta për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore në Shqipëri”
Në këtë konferencë marrin pjesë kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco; Zëvendësministrja e Brendshme e Shqipërisë, Romina Kuko; ambasadorja suedeze kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, Anna Ekstedt; përfaqësuesi i Posaçëm dhe Koordinatori i OSBE-së për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, Valiant Richey; ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim; ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca.
Zëvendës ministrja e Brendshme Romina Kuka tha se prezenca e OSBE-së është mbështetje kryesore e institucioneve shtetërore dhe e Ministrisë së Brendshme për parandalimin dhe goditjen e personave që janë të përfshirë në trafikimin e qenieve njerëzore. Kuko tha se ato do të jenë gur themeli në murin e parandalimit të këtij fenomeni.
‘Prezenca OSBE është mbështetja kryesore institucioneve shtetërore dhe Ministrisë së Brendshme për realizmin e objektivave që kanë në fokus aspekte të ndryshme për parandalimin dhe goditjen e personave të përfshirë në trafikimin e qenieve njerëzore.
Çështje të migrimit të parregullt janë çështje shumë të ndjeshme për Rajonin. Kjo është një sfidë e institucioneve shtetërore, por asnjë strukturë nuk do të ketë sukses pa mbështetjen e institucioneve të tjera për të krijuar më shumë mundësi për parandalimin, mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave. Asnjëherë nuk është vonë për strategji më të qartë për hetimin dhe ndëshkimin e dukurive të tilla. Qeveria shqiptare po punon në mënyrë intensive me BE. Bashkëpunimi midis strukturave ligjzbatuese, do të mundësoje rritjen e identifikimit referimit dhe sigurimin e trajtimit njerëzor gjatë hetimit të veprave penale. Një rol vendimtar në parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe mbrojtjes së viktimave kanë edhe njësitë vendore.