Isaac Newton, një nga shkencëtarët më të mëdhenj të njerëzimit, ka lënë një volum të madh pune që është ende thelbësor në kuptimin shkencor të botës. Ashtu si shumë intelektualë të tjerë, ai ka pasur punime që nuk janë publikuar ndonjëherë, edhe pas vdekjes.
Tashmë për herë të parë disa shënime të Newton kanë dalë në ankand, ku pershkruhen disa nga teoritë e tij më të pabesueshme në lidhje me shkencat okulte, alkeminë dhe teoritë biblike të apokalipsit.
Përveç shkencave të sakta Newton njihej që përfshihej dhe në anën ezoterike të studimeve dhe të temave mistike.
Disa nga letrat në fjalë po nxirren në ankandet Sotheby’s, edhe pse të djegura gjatë një zjarri aksidental në shtëpinë e tij.
Shtëpia e ankandeve shkruan: “Shënimet janë pjesë e rrjetit kompleks të studimeve të ndërlidhura të Newton mbi filozofinë natyrore, alkeminë dhe teologjinë, pjesët e të cilave Newton kishte ndërmend të publikonte. Nuk është për t’u çuditur fakti që studiuesi nuk dëshironte të publikonte mendimet e tij mbi alkeminë, ashtu si dhe studimet e teologjisë, të cilat po të ishin publikuar do t’i kishin kushtuar atij të paktën karrierën.
Në shënimet e tij Newton flet për tema të largëta që do të kishin habitur dhe mendimtarët e sotëm. Mes tyre përfshihet dhe teoria e tij sipas së cilës piramida e madhe e Gizës në Egjipt parashikon apokalipsin në tokë. Megjithse nuk është plotësisht e qartë logjika e përdorur prej tij, teoria nis me studimin sesi piramidat janë vendosur, sipas njësisë së lashtë egjiptiane të quajtur ‘kubiti mbretëror’.
Newton besonte se kishte zbuluar një gjeometri të piramidave, që linjëzohet me parashikimin e apokalipsit nga Bibla.
“Ai po përpiqej të gjente prova për teorinë e tij të gravitetit, por përveç kësaj ai kerkonte dhe sekrete të alkemisë qe egjiptianet e lashtë besohet se ruanin. Për Newton në shekullin e 17-të, kjo ishte nje praktike normale studimi”, thotë Gabriel Heaton, specialist i dorëshkrimeve në ankandet Sotheby’s.
Asokohe interesi te alkemia dhe misticizmi ishte diçka e zakonshme dhe për studiuesit seriozë, madje konsiderohej si një fushë e vecantë studimi.
“Idea që shkenca të jetë një alternativë ndaj fesë, është pjesë e një mendësie moderne të studimit. Por Newton ashtu si shumë studiues të tjerë të famshëm të shkuarës nuk besonin se puna shkencore dëmtonte besimin fetar. Ai nuk përpiqej të hidhte poshtë kristianizmin pasi ka kaluar një pjesë të mirë të kohës për të llogaritur periudhën më të saktë për apokalipsin biblik, prandaj dhe ishte i interesuar te piramidat e Egjiptit”, shtoi Heaton.