Një burrë në Maliveshë të Kosovës ka dhunuar bashkëshorten e tij dhe e ka nxjerrë jashtë bashkë me fëmijët, pasi ajo nuk e ka përshëndetur. Mediat kosovare shkruajnë se ngjarja ka ndodhur një ditë më parë në fshatin Ngucat, Komuna e Malishevës.

Burri është kthyer nga puna në gjendje të dehur me një bashkëfshatar, dhe menjëherë ka filluar t’i bërtasë bashkëshortes me inicialet L.H., për shkak se kjo e fundit nuk e ka përshëndetur. Më pas ai e ka dhunuar atë bashkë vajzën e vogël, vetëm një vjeçe dhe e ka nxjerrë nga shtëpia. Dhunuesi është vënë në pranga dhe është lënë në burg.

Njoftimi:

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë kërkesë në Gjykatën kompetente në Gjakovë, dega Malishevë, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit F.H., i akuzuar se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. Prokuroria njofton se rasti ka ndodhur dje në fshatin Ngucat, Komuna e Malishevës, në shtëpinë e tyre të përbashkët, ku i pandehuri kthehet nga puna në gjendje të dehur me një bashkëfshatar, dhe menjëherë fillon ti bërtasë bashkëshortes, L.H., për shkak se kjo e fundit nuk e ka përshëndetur.

I revoltuar fillon e sulmon gruan duke e goditur me shuplaka e grushte në kokë, si dhe e ka nxjerrë jashtë shtëpisë së bashku me tre fëmijët, duke i shkaktuar kështu lëndime të lehta trupore. “Gjithashtu, në të njëjtën datë dhe vend, i njëjti pasi e godet bashkëshorten, i shkakton lëndime trupore edhe viktimës së ndjeshme, vajzës së tij një (1) vjeçare E.H., duke e goditur atë me shuplaka në fytyrë. Prokurori i rastit  ndaj të pandehurit F.H., ka bërë kërkesën për caktimin e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe i njëjti me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 29 qershor 2021.