Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u takua me ambasadoren e Holandës, Guusje Korthals Altes, me rastin e përfundimit të misionit të saj në Shqipëri.
Ruçi vlerësoi kontributin e ambasadores Altes në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në mënyrë të veçantë kontributin për informimin e Parlamentit dhe Qeverisë dhe të Holandës mbi arritjet e Shqipërisë në rrugëtimin e saj europian.
“Shpreh mirënjohjen e Kuvendit të Shqipërisë për qëndrimin inkurajues të Parlamentit holandez për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë si edhe për rritjen e investimeve holandeze në Shqipëri.
Marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe janë pasqyruar edhe në rritjen e bashkëpunimit ekonomik. Për të tretin vit radhazi, Holanda është investitori më i madh në Shqipëri dhe ne kemi besim se ky bashkëpunim do të vijë duke u zgjeruar e forcuar”, theksoi kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Ambasadorja Guusje Korthals Altes falënderoi kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, për vlerësimin e punës së saj si edhe të bashkëpunimit midis të dy vendeve dhe nënvizoi se Vendet e Ulta do të vazhdojnë të mbështesin integrimin europian të Shqipërisë, konsolidimin në vendin tonë të vlerave europiane, mbajtjen sa më shpejt të Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe rritjen e investimeve holandeze në Shqipëri. /j.p/1 nga 2