Në një ceremoni zyrtare të zhvilluar këtë mbrëmje në Pallatin e Brigadave, Shqipëria kuqezi ndërmerr rrugëtimin drejt Olimpiadës ku hapi i fundit është edhe marrja e flamurit kuqezi.
Ishte kryeministri Edi Rama i cili u dorëzoi skuadrës olimpike, flamurin shqiptar, teksa Brijen Çalja dhe Luiza Gega ishin ata që e mbajtën në duar gjatë ceremonisë.
Kryeminsitri Rama në fjalën e tij falenderoi skuadrën olimpike për atë që kanë bërë, sakrificat ndërsa u dha zemër për pjesmarrjen e cila sipas tij është më e rëndësishme se rezultati.
Zoti Rama nuk la pa përmendur edhe ligjin e sporteve ku sipas tij, pas kthimit nga Tokyo do të bisedojë me kreun e KOKSH, Fidel Ylli për të vënë në punë edhe programin qeverisës të mandatit të tretë lidhur me sportin.
“Pas Tokios do të ulemi me KOKSH për të hartuar një program të përbashkët për të shpjeguar programin tonë të ri të mandatit të tretë në lidhje me sportin dhe prioritetin e prioriteteve që është sporti për fëmijët, për gjimnazet, për universitetet, për të dëgjuar nga të gjithë njerëzit me eksperiencë të padiskutueshme që ka në komitet por edhe përtej për të nisur një rrugëtim të përbashkët për ta ngritur lëvizjen olimpike shqiptare në një nivel më të qëndrueshëm në 4 vitet e ardhshme.
E kam pritur me shumë kënaqësi lajmin e zgjedhjes së Fidelit në krye të KOKSH, për një arsye të thjeshtë dhe të rëndësishme se nuk kemi arritur dot ta motivojmë KOKSH-in për të qenë në lartësinë e misionit të vet, që të qëndrojë edhe pranë sportistëve elitarë, të përgatisë misionet sportive në Olimpiada apo kampionate, por misioni themelor është krijimi i lëvizjes olimpike dhe nuk mund të ketë lëvizje olimpike pa një ndërthurje të gjithë energjive dhe forcave”.
Kryeministri Rama vlerësoi sportistët pjesëmarrës duke ju uruar suksese ne garat e tyre në Olimpiadë, ku insistoi se pjesemarrja ka më shumë rendesi se rezultati.
“Është një emocion shumë i veçantë për pjesëmarrësit në Olimpiadë. Sikur ka thënë edhe krijuesi i Lojërave Olimpike, më e rëndësishme është që të marrësh pjesë. Shumë suksese, uroj që t’ja dilni në objektivat që keni dhe jeni të bindur që sido që të jetë rezultati nëse ju do të bëni gjithçka mundeni, e keni bërë detyrën dhe e keni kryer misionin”, u shpreh shefi i Ekzekutivit në ceremoninë zyrtare në Pallatin e Brigadave.
ora tv