Çështja e këngës së Elseid Hysajt si rit prezantimi para shokëve të skuadrës, po fillon të marrë përmasa gjithnjë e më serioze. Ai që duhej të ishte një moment humori mes miqsh, është kthyer në një përplasje të mirëfilltë me tifozët e skuadrës mbi ideologji politike.
Hysaj zgjodhi të këndonte “Bella Ciao”, një këngë e vjetër partizane në Itali, por që ka marrë famë përsëri së fundmi si pasojë e serialit “Casa de Papel”.
Megjithatë, tifozët e Lacios, të cilët janë në një numër të madh mbështetës të ekstremit të djathtë, nuk kanë pëlqyer një këngë të tillë ndaj kanë vërshuar kritikat në adresë të lojtarit shqiptar, deri në kërcënime.
Në këtë situatë, edhe Lacio sot u detyrua të dalë me një komunikatë, duke mbrojtur futbollisti e duke dalë plotësisht në mbështetje të tij në situatën absurde që u krijua në 24 orët e fundit.
“Është detyra e klubit që të mbrojë një pjesëtar të tij dhe ta largojë nga instumentalizimet personale dhe politike që qartësisht në këtë çështje nuk kanë të bëjnë aspak me kontekstin informal dhe miqësor në të cilin u zhvillua episodi. Grumbullimi i skuadrës duhet të vazhdojë në përkushtimin maksimal sportiv dhe në klimën e qetësisë që është shfaqur deri më sot”, shkruhej në këtë komunikatë të Lacios që i dilte kundër tifozëve të saj duke insistuar se e kishin instrumentalizuar më kot të gjithë këtë ngjarje duke vënë në vështirësi mbrojtësin shqiptar.
fax